Pse (nuk) do të marr pjesë në protestë? Në “Afrikë”

19/02/2014 00:00

LEONARD BODURI – Në “Afrikë” menjëherë, të nesërmen e ditës së
zgjedhjeve, sapo lind dielli, një opozitar i ri e di që do të ketë
spastrim të administratës, goditje të monopoleve të krijuara gjatë
qeverisjes së tij dhe sulme selektive politike nga mazhoranca e re.

Gjithashtu po në të njëjtën “Afrikë”, të nesërmen e ditës së zgjedhjeve, sapo lind dielli, një mazhoritar i ri e di që militantët e shumtë presin të zënë vendet që do të lirohen në administratën e politizuar, e di që biznesmenët që hodhën para në fushatë presin privilegje që më parë i gëzonin “ata që ishin të lidhur me ata që ikën nga pushteti”, e dinë që do të mbrojnë me çdo mjet disa prej mbështetësve të tyre oligarkë, edhe pse këta të fundit do të shkelin me të dyja këmbët legjislacionin dhe rregullat në fuqi. Në “Afrikë”, të nesërmen e shpalljes së rezultateve zgjedhore, fillojnë pazaret dhe hipokrizia mjeshtërore politike. Mazhorancat proklamojnë me zë të lartë në publik se do të zbatojnë ligjet dhe do të respektojnë Kushtetutën e vendit, pasi akoma nuk e kanë kuptuar se ky është minimumi i minimumit që kërkohet prej tyre. I njëjti premtim u kërkohet jashtë “Afrikës” edhe të sapoliruarve nga burgu. Të mos shkelësh ligjin për këtë lloj politike është sakrificë e madhe! Mirëpo ky refren i pacipë është mburrja e tyre e vazhdueshme. Sa mirë që jetohet në “Afrikë”! Sindikatat janë zgjatime të politikës, prandaj aty nuk ka as greva dhe as protesta. Aty nuk ka protesta, ose më saktë protestat nuk kanë asnjë lloj vlere, pasi ato janë të mërzitshme, të kontrolluara dhe gjithmonë orkestrohen nga politika. “Afrikanët” asnjëherë nuk ngrihen në protesta pse rritet fuqia e monopoleve në treg, pse rriten taksat kur shërbimi shtetëror është mizerabël, pse përdhosen ligjet dhe kushtetuta sa herë i teket qeverisë, pse i flakin nga puna njerëzit në sektorin shtetëror dhe i hedhin në mes të katër rrugëve pa pikë përgjegjësie, pse mazhorancat i hanë fjalët dhe premtimet e pak muajve më parë me pafytyrësinë më të madhe; por ata “afrikanët” kanë aftësinë të organizohen vetëm në protesta partiake. Në “Afrikë”, nuk ka rëndësi nëse je në opozitë apo në mazhorancë, por nëse e ke kuptuar që po jeton në një Afrikë reale ka vetëm një zgjidhje të dalësh nga kjo gjendje: largohu, nga sytë këmbët! Fillo të vraposh!

 

Di halla të bëjë petulla po nuk ka vaj!

Detyra kryesore e një qeverie është të zbatojë një politikë fiskale sa më të drejtë dhe të kryejë një rishpërndarje të të ardhurave të siguruara në mënyrë të tillë që të rrisë mirëqenien totale të shoqërisë. Në këtë kuadër, premtimet elektorale që kanë të bëjnë me uljen e kostove të shërbimeve shtetërore, sidomos ato që kanë të bëjnë me arsimin dhe shëndetësinë, si dhe punësimin dhe subvencionimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë, zënë peshën kryesore të diskutimeve elektorale në vendet e zhvilluara perëndimore. Natyrisht edhe në vendin tonë, përgjatë fushatës së fundit, do të veçonim premtimet për legalizime falas dhe për shërbim shëndetësor falas. Gjithashtu u premtua edhe ulja e kostos së disa produkteve bazë ushqimore, si dhe rimbursimi i TVSH-së për faturën e energjisë elektrike për familjet me të ardhura të ulëta. Disa herë u premtua dhe pritej edhe një ulje e çmimit të karburanteve, pasi na u tha që të mos harrojmë se “ne jemi edhe një vend naftënxjerrës”. Tashmë, pas gjashtë muajsh, mazhoranca na thotë se këto premtime nuk mund të realizohen, sigurisht për faj të qeverisë së mëparshme, pasi nuk ka mjete financiare të nevojshme për realizimin e tyre. Pas gjashtë muajsh, ministrucët (shartim i njerëzve të vegjël me strucët) në qeveri e kanë kuptuar që shërbimet nuk mund të realizohen me “frymën e shenjtë”, por u nevojitkan edhe para! Çudi! U dashka të emërohesh ministër për të arritur në një konkluzion të tillë?! Ministrucë me brirë!

 

A do të jenë “të njëmiliontët” në protestë? Po “opozitari” Idrizi?

Politika, siç e thamë, jo vetëm që i organizon dhe i drejton protestat, por ajo është muza e tyre. Madje ka pasur raste kur opozita, edhe pse merret kryekëput me organizimin deri në detaj të një proteste, distancohet paraprakisht dhe profetizon se populli mund të tejkalojë politikën. E habitshme, por profeci të tilla politike, për fat të keq, janë “vërtetuar”. Në fakt, protesta antiqeveritare e lajmëruar për në datën historike 20 shkurt, e cila mbart ngjyrime të thella antikomuniste, duhej të kishte në ballë një pjesë të mirë nga ata të njëmiliontët që votuan pro mazhorancës aktuale më 23 qershor. Ata duhet të ndihen të prerë në besë dhe u takon më shumë se të tjerët që të protestojnë. Kjo, pa dyshim, nuk cenon të drejtën e çdo qytetari që është nën juridiksionin e kësaj qeverie dhe që sidoqoftë, për shkak të rezultatit zgjedhor, do të ndikohet nga programi i paraproklamuar i mazhorancës, të shprehë pakënaqësinë e tij për qeverisjen e deritanishme. Ky është populli opozitar që kërkon të zgjerohet në numër, që nuk ka asnjë shpresë që gjërat do të përmirësohen, që shpreson të tërheqë drejt vetes dhe të bindë popullin “gri” që të bashkohet me ta. Kauza e protestës është e drejtë, por data është e papërshtatshme. Protesta të tilla kundër politikave ekonomike të ndjekura nga qeveria, kundër shkeljes së parimeve bazë të Kushtetutës së vendit, kundër nepotizmit masiv dhe kundër një shërbimi të mjerë shëndetësor nuk mund dhe nuk duhet të lidhen patjetër me data historike. Këto protesta me karakter gjithëpërfshirës, në mos duhet të organizohen çdo javë, duhet të zhvillohen minimumi çdo muaj. Nuk më vjen mirë për një gjë të tillë, por për shkak të kushteve ku ndodhemi akoma është e nevojshme që protestat të organizohen nga opozita, pasi organizues të tjerë seriozë nuk gjenden. Mirëpo dikush mendon se ky popull opozitar është i ndarë në parcela dhe mund të manipulohet aq lehtë sa edhe numrat në Parlament. Madje ka nga ata që mendojnë se kanë tagrin të “emërojnë” opozitën, me qëllim që më pas këtë “opozitë”, të blerë me ofiqe në takime gjysmë të fshehta me pseudoliderë, ta përdorin për t’u dukur ose për konsensus. Meqë ra fjala te konsensusi, di gjë njeri a do të jetë Idrizi në protestë?

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA