Kryetari i ALUIZNI-t, Artan Lame deklaroi sot se i është dërguar një dosje prokurorise për abuzimet që janë zbuluar me legalizimet.

Sipas Lames, njerëz të lidhur me pushtetin dhe politikën kanë legalizuar objekte të ndërtuara edhe në zona të mbrojtura apo objekte të pa ndërtuara fare.

Sipas Lames, vetëm në vitin 2013 numërohen  7 800 objekte të legalizuara në zona të mbrojtura, pranë parqeve arkeologjike ose në zona të rëndësishme të kryeqytetit në mënyrë të kundraligjshme.

Ilir Paço, “TCH” – Zoti Lame, ju thatë në konferencën tuaj për shtyp se një pjesë e madhe e 22 mijë lejeve të legalizimeve në 6 vjet janë abusive. Kjo është një deklaratë e përgjithshme. A mund të na thoni një shifër më konkrete, sa janë konkretisht këto leje abusive?

Artan Lame, kreu i ALUIZNI-t – Në qoftë se ne do të hyjmë të bëjmë një për një të gjithë rastet abuzive, për të nxjerrë shifra të qarta do të duhej t’i vinim kycet institucionit sepse do të merreshim vetëm me të shkuarën, pa parë të ardhmen. Sot, me një lloj humori të zi thashë që duhet të krijohet një agjensi paralele për riparimin e dëmeve të ALUIZNI-t. Mund të them me përgjegjësi që nga 7 800 leje në 2013-n, deri në ditët e fundit të Shtatorit, mbi 6 mijë janë abusive, janë bërë në shkelje të interesave të qytetareve, komunitetit dhe shtetit, që do të thotë se bëhet fjalë për atë që folët në kronikë, legalizime në zona të mbrojtura, parqe, lulishte, monumente, kopshte, çerdhe… Sidomos në vitet e fundit dhe sidomos në vitin e zi 2013, i referohem institucionit dhe jo vitit të shqiptarëve, ALUIZNI u kthye në një institucion që ka prodhuar vetëm dëm për qytetarët.

Ilir Paço, “TCH” – Folët për legalizim të ajrit, për legalizime në parqe kombetare, në objekte arkeologjike, në shkolla, në bregdet e të tjera, çka ka sjelle një faturë korrupsioni. Cila dhe sa eshte kjo faturë korrupsioni, konkretisht edhe këtu?

Artan Lame – Është një tragjedi më vete, një dramë-tragjedi. Legalizimi i ajrit kur s’ka objekt fare, për të marrë truallin dhe është bërë vetëm për të blerë truallin dhe kështu janë shitur troje nga më interesantet, e ku në asnjë mënyrë tjetër s’do të lejonte ligji. Me këto procedura është arritur të blihet trualli, gjoja janë sajuar edhe foto, janë bërë objekte kartonxhes apo bukë peshku me bojë gri sa për të thënë që ekziston objekti. Të tilla objekte ka në Parkun e Tiranës dhe edhe në mes të Bllokut, ku ka të legalizuar ajër, pra objekte që nuk ekzistojnë.

Ilir Paço, “TCH” – Meqë po flasim për legalizimet. Çështja e legalizimeve është një ndër motivet e protestes së opozitës. A ka një kontradiktë mes premtimit të kryeministrit për legalizime falas dhe deklarates tuaj të para pak koheve se nuk mund të ketë legalizime pa pagesë?

Artan Lame – Ky është bërë spoti i ditës për opozitën, përsa është një problem për 200 mijë familje shqipare. Por, dua të sqaroj se realizisht ALUIZNI është në dilemë të tmerrshme. Arriti të kthehet në një institucion të besueshëm për qytetarët sepse ne trajtojmë 1 680 ankesa në javë, pra çdo javë vijnë kaq qytetarë për t’u ankuar për legalizimet e mëparshme. Kjo tregon nga një anë që kanë gjetur një derë ku trokasin e nga ana tjetër na kanë vënë në situatë që duhet të shohim para apo mbrapa për të zgjidhur këtë barrë të tmerrshme. Është një situatë absurde e krijuar nga një administratë që ka krijuar vetëm probleme dhe unë paraqita listën e drejtorave dhe shefave të larguar nga detyra për këto shkelje. Jam i bindur që shumica e tyra pasnesër do shkojnë në demonstratë që të kërkojnë rikthimin në punë dhe PD po e kërkon rikthimin e tyre. Le të më thonë me emër e mbiemër cili prej tyre do të kthehet në punë, por mos harrojmë që janë mijëra shqiptarë që ju dridhen mishtë duke pritur në zyra apo duke pritur gjobën për legalizimet. Le të nxjerrin me emra kë duan të kthejnë në punë nga ajo listë.

Ilir Paço, “TCH” – Zoti Lame, në të gjithë këtë situatë cila është zgjidhja, që është edhe gjëja që i intereson më shumë shqiptarëve?

Artan Lame –
Institucioni është i hapur për çdo institucion shtetëror që bën kontroll, për prokurorinë, Prokurorinë e Përgjithshme apo Gjykata, por ne s’mund të shohim vetëm nga e shkuara në këtë moment. Gjetëm një zgjidhje me hipotekën, morën ato dosje që nuk kishin shkuar deri në fund dhe po shohim të shmangim gjynahet e rënda në territor, gjobat e rënda që do i viheshin brezit tjetër. Vetëm në Parkun e Tiranës ka dhjetëra objekte të legalizuara, tetë ka vetëm midis universitetit dhe Gardës së Republikës. Në të gjithë Qarkun ka një mori objektesh të legalizuara e ajo që plani rregullues i Tiranës parashikon për ndëtimet del edhe më e rëndë, që edhe në këto dy vjet kanë vazhduar të bëhen legalizime në park. Të paktën duhet të shpëtojmë këto zona, akset e rrugore, bregdetin e jugut, bregun e detit në të gjithë vendin, sepse ka edhe legalizime mbi përrenj. Kjo ishte zgjidhja  që gjetëm të bëjmë minimimun e domosdoshëm, të anullojmë raste që lënë një barrë të rëndë dhe të shohim përpara për të ndjekur masivisht procesin e legalizimit për pjesën tjetër të qytetarëve dhe të referojmë sistemin.

Intervista e zotit Lame në studion qëndrore të lajmeve në “Top-Channel” përfundoi me një thirrje adresuar qytetarëve, që kreu i institucionit përgjegjës për legalizimet i kërkoi të vazhdojnë të paraqiten për të parashtuar të gjithë shqetësimet e tyre tek ALUIZNI, në të 14 sportelet e hapura për qytetarët.

Abuzimet me legalizimet

Lame: U ligjëruan objekte në zona të mbrojtura ose pa u ndërtuar fare

Një zinxhir i gjatë zyrtarësh që kanë mbajtur poste drejtuese prane
ALUIZNI-t, Hipotekës, Institutit të Kulturës dhe noterë në këmbim të
parave kanë legalizuar mijëra objekte në mënyrë krejtësisht të
paligjshme.

Një grup i caktuar njerezish, te cilet kane shfrytezuar pushtetin dhe paratë kanë ndërtuar në zona të mbrojtura me ligj dhe ndërtesat e tyre janë legalizuar, pasi është deformuar edhe ligji i legalizimeve.

“Kemi ngritur një strukturë të brendshme që është në sektorë për planifikimin urban, e cila bën pikërisht sondazhet të tilla për të parë ku ka dëme që janë realisht plagë nuk mund t’ia lemë brezit tjetër. Në raste të tilla pa diskutim që do t’i cojmë qoftë për ndjekje penale, sepse është një detyrim ligjor, është edhe një detyrim i task forcës së ngritur nga Kryeministri”, tha kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame.

Vetem ne vitin 2013, numerohen 7800 objekte te legalizuara ne zona te mbrojtura prane parqeve arkeologjike, ose ne zona te rendesishme te kryeqytetit, ne menyre te kundraligjshme.

Kreu i ALUIZNI-t, Lame tha se jane legalizuar edhe objekte qe nuk ekzistojne.Vetem prane zones se Universitetit të Tiranës dhe Parkut te Liqenit Artificial jane legalizuar 8 objekte.

“Nga shqyrtimi vetëm i këtyre 8 dosjeve, në një zonë të Parkut të Tiranës rezultojnë 164 shkelje ligjore administrative, teknike dhe proceduriale. Ka në këto 8 legalizime, legalizim objekti, i cili nuk ekziston fare, pra legalizim ajri dhe po flas vetëm për një cep të parkut. Shumica e objekteve që gjenden të ndërtuara pa leje brenda parkut të Tiranës dhe kjo është një gjë që une e them zyrtarisht, janë legalizuar”, tha Lame.

Por ndersa qindra mijra qytetare presin ne dyert e ALUIZNI-t per te legalizuar ndertesat e tyre te ndertuara prane zonave informale, prane gjykatave do te dergohen dosjet të cilat, sipas Lames, jane ne shkelje te plote me ligjin.

Top Channel