Pjestarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës parakaluan për herë të fundit me emrin dhe misionin e deritanishëm në paradën që shënoi gjashtëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në sheshin Zahir Pajaziti ku ishin mbledhur mijëra qytetarë për festën e Pavarësisë, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi paralajmëroi se Kosova shumë shpejt do të themelojë Forcat e Armatosura të saj.

Ai shtoi se Forcat e Armatosura të Kosovës do të kenë mandat të ri, madhësi dhe strukturë të re, e aftë për të mbrojtur integritetin territorial të Kosovës.

“Kjo është parada e fundit e nderimit të Ditës së Pavarësisë, ku ne e shohim parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me emrin e saj të deritanishëm. Na ndan një kohë shumë e shkurtër, javë apo muaj nga themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës. Forcat e Armatosura të Kosovës do të jetë të afta ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe do të ndihmojnë në ndërtimin dhe ruajtjen e stabilitetit në vend”, ka deklaruar Thaçi.

Me një mesazh urimi qytetarëve iu drejtua ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Tracey An Jacobson. Ajo lexoi telegramin e presidentit amerikan Barack Obama dërguar presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga.

Në të shprehet përkushtimi i Amerikës për ta mbështetur Kosovën, theksohet rëndësia për rishikimin e sektorit të sigurisë, në mënyrë që, siç tha ambasadorja amerikane, FSK-ja t’i thellojë marrëdhëniet me strukturat Euro-Atlantike, e po kështu rëndësia e mbarëvajtjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

“Presidenti Obama ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur përparimin tuaj drejt integrimeve euroatlantike dhe për ndërtimin e së ardhmes më të ndritur për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Jacobson.

Në manifestimin qendror që shënoi gjashtëvjetorin e Pavarësisë nuk ishte i pranishëm kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi dhe liderët e tri subjekteve opozitare Isa Mustafa, Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj.

Në mesin e anëtarëve të kabinetit qeveritar ishte ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe shefi i grupit paralmentar të LDK-së, Ismet Beqiri. Për FSK-në dhe Policinë e Kosovës presidentja Atifete Jahjaga kujtoi se janë dy ndër institucionet më të besueshme për qytetarët.

“Pavarësia e Kosovës është garantuese e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Evropës Juglindore. Këtë përjetësi e ndërtuan me idealin e tyre ata që bënë luftën, të gjithë ata burra e gra të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me komandantin legjendar, Adem Jashari. Të gjithë ata intelektualë e vizionarë që i ngritën themelet e shtetit me presidentin Ibrahim Rugova”, është shprehur Jahjaga.

Funksionimi i Forcës së sigurisë së Kosovës është i rregulluar me Kushtetutë dhe ligjin për FSK-në. Misioni i FSK-së deri në ndërrimin e tij është kryerja e operacioneve të reagimit të shpejtë, të ndihmojë autoritetet civile në përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera.

Detyra shtesë përfshijnë operacionet e kërkim-shpëtimit, mënjanimin e mjeteve shpërthyese, kontrollin dhe pastrimin e materieve të rrezikshme, zjarrëfikjen si dhe detyra të tjera të ndihmës humanitare.

Sipas nenit 126 të Kushtetutës, FSK-ja shërben si forcë e sigurisë kombëtare për Republikën e Kosovës, si dhe mund t’i dërgojë pjestarët e vetë jashtë vendit në pajtim të plotë me përgjegjësitë e veta ndërkombëtare.

FSK-ja ka 2.500 pjesëtarë aktivë të uniformuar dhe 800 pjestarë të formacionit rezervë. Nga ish-trupat mbrojtëse janë rekrutuar 1.400 oficerë dhe ushtarë.

Top Channel