ATALANTA PASKO – Ditët e fundit është folur shpesh për ndalimin e
qarkullimit të furgonëve-taksi (që pastaj doli se ishte vetëm “kontroll”
për patentat e dokumentet dhe disiplinim “sipas ligjit”).
Ky “kontroll” ka hedhur në grevë shoferët e furgonëve me targë të verdhë, pra ata që i kanë dokumentet në rregull. Nga ana tjetër, qeveria thotë se kujdeset për sigurinë e pasagjerëve dhe se për këtë arsye do të ndërpresë transportin me furgon, për të organizuar atë me autobusë të rregullt linje, pasi ky “jep më shumë siguri dhe komoditet për qytetarët”. Qeveria nuk thotë se si do kujdeset për sigurinë e qytetarëve, të cilët vendosin të udhëtojnë me mjetet e tyre ose me mjetet private të të afërmve të tyre.
Para dy ditësh, Kryeministri solli shembullin e Tiranës ku furgonët kryenin dikur shërbimin urban dhe hoqi paralele për zëvendësimin e tyre me autobusë edhe në transportin ndërqytetas të udhëtarëve. Krahasimi nuk qëndron pasi shërbimi urban ndryshon tërësisht nga ai interurban.
Është e lehtë të japësh urdhër e të thuash se askund në vendet e BE-së nuk bëhet transport udhëtarësh me furgonë. Kjo mund të jetë ose mund të mos jetë plotësisht e vërtetë, por le të na thonë qeveritarët dhe ligjvënësit tanë, a ka ndonjë vend në Europë ku mungon transporti hekurudhor për qytetarët? E kanë ata, në nivel nacional e lokal, dhe po ashtu në linjat kryesore kanë edhe trenat me shpejtësi të lartë! Por kanë edhe transportin ajror. Madje edhe atë detar apo ujor. Dhe veç kësaj të mos harrojmë se në ato vende, çdo familje ka mesatarisht të paktën një makinë. Kjo do të thotë që në rast se u lind nevoja, në çdo orë të ditës apo të natës, ata mund ta zgjidhin me shpejtësi problemin që mund t’u dalë me mjetin që disponojnë vetë.
E dimë që jemi shumë, po shumë larg këtij realiteti të vendeve të BE-së, e dinë edhe qeveritarët tanë, megjithatë e harrojnë shpesh kur bëjnë ligje. Prandaj, në vend të krahasimeve me Bangladeshin, duhet ta fillojnë nga kreu: kush udhëton me furgon në Shqipëri nga një qytet në tjetrin?
Së pari udhëtojnë ata që s’kanë makina të vetat; pastaj, ata që duhet të marrin rrugën për një hall ose për arsye punësimi, për gëzim a fatkeqësi, e shumë të tilla; së treti, studentët; së katërti ata që mund të kenë makina, por i përdorin këto vetëm brenda qyteteve ku jetojnë. Gjithsesi, është e sigurt se janë fare-fare të paktë ata që mund të marrin rrugën me furgon pa një problem a një detyrim, e thënë ndryshe, për qejf. Këtë e them me siguri, sepse jam nga ata që e njohin furgonin edhe nga brenda! Ndërmjet autobusit dhe furgonit, zgjedhja ka rënë deri tani te furgoni, lirisht, natyrshëm, për arsye cilësie shërbimi dhe plotësimi të kërkesës, jo me qëllimin për të dëmtuar autobusët që mund të jenë licencuar për të njëjtin shërbim. Por nëse autobusët do të ofrojnë diçka më mirë, duke përfshirë dhe komoditetin të cilin qeveritarët e përmendin shpesh, me siguri qytetarët janë aq të mençur sa të kuptojnë dhe të ndryshojnë zgjedhjen, në mos të gjithë dhe gjithnjë, sipas rastit dhe nevojës, mund të zgjedhin mes dy shërbimesh atë që u plotëson kërkesën. Veçse këtë duhet ta vendosë pasagjeri, dhe jo dhuna e një ligji i cili duke pretenduar se mbron, dëmton dhe nuk respekton shtresën që i drejtohet transportit publik, së cilës nuk i lihet zgjedhje tjetër veç asaj që vendos qeveria. “Kujdesi” që pretendohet ndaj pasagjerit është fyes, sepse nuk përfshin respektin që meriton kushdo për të zgjedhur i lirë atë që pëlqen. Po nëse nesër qeveria do të vërë në punë hekurudhat, a mos do t’ua heqë me urdhër pasagjerët autobusëve për t’i paketuar drejt e në tren?
Kalimi tek autobusët do të thotë që një rrugë e cila me furgon bëhet për 3 orë, do të bëhet së paku për 4.5-5 orë. Dhe po ashtu, shërbimet e ngutshme, të cilat janë zgjidhur deri tani nga furgonët me një çmim të arsyeshëm, do të mbeten tërësisht fushë e taksive të vogla, çmimi i të cilave do të rritet edhe më për shkak të mungesës së konkurrencës me mjete a shërbime alternative. Kështu, shtresa e popullsisë me më pak mundësi, do të goditet në kohën, që është baras me jetën, ose, po s’qe dakord me këtë, goditjen do ta marrë në portofol. Dhe kjo bëhet me ligj! D.m.th kush nuk i ka mundësitë të zotërojë një makinë që e ndihmon të mbarojë punë shpejt, ligji s’e lejon as të nxitojë mesatarisht! Ai që s’mund ta ketë komoditetin e plotë që i jep kujtdo makina e vet, s’lejohet nga ligji të gëzojë as çerek–komoditetin e transportit me një furgon, kur ka nevojë! Dhe këta s’janë pak. Nëse marrim të mirëqenë numrin 2150 të furgonëve 8+1 të licencuar, ta shumëzojmë me tetë dhe pastaj me dy, për dy rrugë, dalin rreth 34 000 pasagjerë në ditë. Por të marrim parasysh se disa furgonë bëjnë më shumë se një rrugë vajtje-ardhje, se veç të licencuarve, ka edhe furgonë të palicencuar, kuptohet ç’numër pasagjerësh lëviz me furgonë çdo ditë. Hyrja e autobusëve në këtë treg është e vlefshme, por jo kështu, me urdhër nga lart. Ata duhet të konkurrojnë ndershmërisht, ndërsa furgonët duhet të respektojnë rregullat e qarkullimit e të ndalesave.
Veçse interesat e pasagjerëve s’ka kush t’i mbrojë. Ata që këto ditë kanë rrahur gjoksin, në të vërtetë, të angazhuar politikisht, janë krejt të pabesueshëm.
Por t’i kthehemi krahasimit me shërbimin urban të Tiranës: një qytetar që nxiton, p.sh., kur autobusi i Unazës ndalon 10 minuta përballë shkollës “Harry Fultz” sepse faturinoja ka dalë të pijë cigare, e pra atëherë, qytetari që nxiton bën mirë të zbresë e t’ua japë këmbëve, se me siguri autobusi nuk e arrin para stacionit të trenit (ku faturinoja mund të pijë cigaren numër 2), ose duhet të marrë një taksi nëse halli ia kërkon të nxitojë më shumë. Por ky qytetar, që sigurisht nuk disponon makinë private, s’mund ta bëjë dot këtë kur niset të shkojë në një qytet tjetër për punë.
Debati kundër furgonëve të pasagjerëve është zgjeruar dhe ka marrë tonet e gjuetisë së shtrigave duke e trajtuar këtë si çështje të shoferëve të furgonëve dhe jo të pasagjerëve. Aty me sa duket janë përfshirë përdorues të rrugës me mjetet e tyre private, të cilët mendojnë se zëvendësimi i furgonëve nga autobusët do t’ua lironte rrugën nga një ngarkesë e tepërt sipas tyre, që ata të mund të ecin më shpejt nga ç’ecin deri tani. Por askush nuk e thotë që shkak i aksidenteve në rrugët tona është kultura e ulët e qarkullimit dhe nervozizmi i atyre që kanë blerë patentat siç blihet një qese me patatina. Nga ana tjetër, numri i makinave në rrugë gjithsesi mbetet i ulët, derisa shumica e popullatës s’ka makina të vetat.
Për t’i hequr qafe furgonët e udhëtarëve “sipas ligjit” (ata të rregulltit, me licencë, patentë dhe kushte të mira teknike të mjetit), qeveria përdor një ligj të bërë rreth 16 vite më parë që pothuaj nuk është zbatuar, pasi bie erë absurditeti dhe ndarje mesjetare të territorit. Sipas këtij ligji, furgonët duhet të nisen me pasagjerë nga qyteti ku janë regjistruar dhe pastaj të kthehen bosh, “për t’iu përmbajtur shërbimit taksi”, sepse ndryshe do të ktheheshin në “linjë të rregullt interurbane”, për të cilën nuk janë të licencuar. Kështu thotë ligji. Ndërsa atyre nuk iu intereson, sepse thonë që mezi arrijnë të mbulojnë koston e shërbimit, aq më fort se jo rrallë ndodh të mos nisen me të gjitha vendet të plotësuara.
Po ata pasagjerë që duan të udhëtojnë në të njëjtin drejtim, ç’duhet të bëjnë? Sipas ligjit, ata do të duhet të udhëtojnë me mjetet e regjistruara në atë qytet si shërbim taksi, të cilët, nga ana e tyre, do duhej të ktheheshin gjithashtu bosh. D.m.th për të transportuar ata që duan të nisen nga Korça për në Tiranë pasdite, duhet të niset një mjet i licencuar në Korçë, që nëse do dojë të bëjë gjumin në shtëpinë e vet, duhet të kthehet qoftë edhe natën vonë, dhe patjetër bosh! Kështu, sipas ligjit, i bie që për çdo furgon të nisur bosh, në të njëjtin drejtim të niset edhe një tjetër, me udhëtarë! Logjikë e marrë, antiekonomike, që sjell shtim të varavingave të kota në rrugë, me gjithë kostot që mbartin këto varavinga, nga ajo e shpërdorimit të lëndës djegëse, energjisë njerëzore dhe vetë automjetit, te ndotja. Por a ka lidhje kjo me sigurinë e pasagjerëve, siç pretendon ministri Tahiri? Kuptohet, aspak.
Sa për problemet në këtë transport, gishti duhet të vihet atje ku janë shkaktarët e vërtetë: mjetet e palicencuara, shoferët pa patentën e duhur, shoferët që s’kanë kulturën e shërbimit, automjetet e vjetra. Ndërsa kaosi që mbjell vdekjen në rrugët tona është shumëplanësh dhe për të është e kotë të fajësohet transporti ndërqytetas me furgonë-taksi. Ai përfshin tërë kulturën dhe infrastrukturën, autoshkollat dhe madje shkollat e pikërisht për këto duhet të turpërohet e gjithë kasta e politikanëve tanë. Ndërkaq, nuk ka përse të ndalohet një alternativë e pëlqyer dhe e zgjedhur nga një numër i madh qytetarësh, dhe ligji, në vend të krijojë hapësira për alternativa të tjera, s’ka pse t’i mbyllë edhe ato që ekzistojnë.
Por me sa kuptohet nga vetë fjalët e tyre, qeveritarët tanë e shikojnë çështjen e transportit ndërqytetas me furgonë, së jashtmi, nga dritaret e makinave të tyre dhe jo nga këndi i pasagjerit, i cili nuk udhëton as për qejf dhe as për fushatë elektorale. Prandaj, edhe këtë, qeveritarët e trajtojnë si një çështje estetike. Dhe ky është një gabim shumë i rëndë.
Top Channel