Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës parakaluan për herë të fundit, me emrin dhe misionin e deritanishëm, në paradën që shënoi 6-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku ishin mbledhur mijëra qytetarë për festën e Pavarësisë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, paralajmëroi se Kosova shumë shpejt do të themelojë Forcat e Armatosura të saj.

Ai shtoi se Forcat e Armatosura të Kosovës do të kenë mandat të ri, madhësi dhe strukturë të re, të afta për të mbrojtur integritetin territorial të Kosovës.

“Është koha kur ne duhet të marrim përgjegjësinë e plotë për sigurinë e shtetit tonë. Dhe kjo do të nënkuptojë ndryshime të rëndësishme në mandatin, misionin, madhësinë dhe strukturën e saj. Kjo do të thotë një emër i ri për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Na ndan një kohë shumë e shkurtër, javë apo muaj, nga themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës”, u shpreh Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.

Me një mesazh urimi, qytetarëve iu drejtua ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson. Ajo lexoi telegramin e presidentit amerikan, Barack Obama, dërguar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në të shprehet përkushtimi i Amerikës për ta mbështetur Kosovën. Theksohet rëndësia për rishikimin e sektorit të sigurisë, në mënyrë që – siç tha ambasadorja amerikane – FSK-ja t’i thellojë marrëdhëniet me strukturat euro-atlantike, e po kështu rëndësia e mbarëvajtjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

“Në sektorin e sigurisë, NATO ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës i ka arritur kapacitetet e plota operacionale, duke ndërmarrë përpjekje mbresëlënëse për rekrutimin e serbëve të Kosovës. Ne besojmë që zgjedhjet e përgjithshme duhet të ruajnë vrullin pozitiv të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar. Në fund të letrës së tij, presidenti Obama ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të mbështetur përparimin tuaj drejt integrimeve euro-atlantike dhe për ofrimin e të ardhmes më të ndritur për të gjithë qytetarët e Kosovës”, deklaroi ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson.

Në manifestimin qendror, që shënoi 6-vjetorin e Pavarësisë, nuk ishte i pranishëm kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe liderët e tri subjekteve opozitare, Isa Mustafa, Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj.

Në mesin e anëtarëve të kabinetit qeveritar ishte ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe shefi i grupit paralmentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

Për FSK-në dhe Policinë e Kosovës, presidentja Atifete Jahjaga kujtoi se janë dy ndër institucionet më të besueshme për qytetarët.

“Ne duhet të dëshmojmë se kemi guximin dhe forcën për të mposhtur secilën dukuri negative në shoqëri, që do të garantojë rrugën e integrimit në Bashkimin Europian”, theksoi Atifete Jahjaga, presidente e Kosovës.

Funksionimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës është i rregulluar me kushtetutë dhe ligjin për FSK-në. Misioni i FSK-së, deri në ndërrimin e saj, është kryerja e operacioneve të reagimit të shpejtë, të ndihmojë autoritetet civile në përgjigje ndaj katastrofave natyrore, si dhe emergjencave të tjera.

Detyrat shtesë përfshijnë operacionet e kërkim-shpëtimit, mënjanimin e mjeteve shpërthyese, kontrollin dhe pastrimin e materieve të rrezikshme, zjarrëfikjen, si dhe detyra të tjera të ndihmës humanitare.

Sipas nenit 126 të Kushtetutës, FSK-ja shërben si forcë e sigurisë kombëtare për Republikën e Kosovës, si dhe mund t’i dërgojë pjesëtarët e vet jashtë vendit, në pajtim të plotë me përgjegjësitë e veta ndërkombëtare.

FSK-ja ka 2500 pjesëtarë aktiv të veshur me uniformë dhe 800 pjesëtarë të formacionit rezervë. Nga ish-trupat mbrojtëse janë rekrutuar 1400 oficerë dhe ushtarë.

***

Rrugët e Prishtinës u veshën me flamuj kombëtar shqiptar dhe të shtetit që po feston 6-vjetorin. Që nga orët e para, qytetarë nga të gjitha viset shqiptare kanë ardhur në kryeqytetin kosovar, për të festuar ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Ndërkohë që, presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, e liderë të vendit, kanë bërë homazhe në varrezat e familjes Jashari, në Prekaz, dhe në varrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova. Ibrahim Rugova u vlerësua lart nga liderët për kontributin e dhënë në shtetndërtimin e Kosovës.

6 vite pas shpalljes shtet i pavarur, Kosova është njohur nga 106 shtete të botës dhe është anëtare e Bankës Botërore, e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Monumenti i Pavarësisë, tashmë me pamje të re, mbetet në fokus të fotografive në këtë ditë të shënuar.

***

Kuvendi, seancë për Pavarësinë
Krasniqi: Të mbajmë gjallë amanetin. Mungojnë deputetët serbë

Gjashtë vjet pas, nga ku u dha lajmi i madh për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, deputetët e Kuvendit dhe krerët shtetërorë kujtuan të gjithë të rënët për lirinë, pavarësinë dhe ata që kontribuan për mëvetësimin e Kosovës.

Megjithatë, mbledhja solemne u shënua me mungesën e deputetëve, edhe veçmas atyre të komunitetit serb.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se këto 6 vjet të Pavarësisë, Kosova nuk ka rrezikuar askënd dhe ka treguar se është shtet, që respekton të gjithë komunitetet që jetojnë këtu.

“Kosova do t’u qëndrojë besnike vlerave, me të cilat është themeluar si shtet dhe demokraci. Do t’i qëndrojë besnike vetvetes, por dhe miqve të saj, duke qenë në partneritet të plotë me ta, me synimin për një shoqëri dhe një shtet modern, demokratik dhe paqësor. Të anëtarësuar në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Shpesh herë, me dhembje dhe kosto të lartë, lufta e pakompromistë kundër krimit e korrupsionit, dhe sigurimi i sundimit të ligjit dhe rendit, ngritja ekonomike dhe luftimi i varfërisë e papunësisë, janë padyshim sfidat më të rënda të Kosovës në rrugën drejt së ardhmes që aspiron”, u shpreh Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit.

Kryeministri Hashim Thaçi theksoi se, sot kujtojmë luftën e UÇK-së, punën e ish-presidentit Rugova, dëshmorëve që dhanë jetën për këtë ditë dhe shumë komandantëve, që vulosën Pavarësinë e Kosovës. Ai falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetin shqiptar dhe të gjithë aleatët, që po përkrahin Kosovën.

“Në këtë ditë të shenjtë, unë bashkë me ju dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, shprehim nderimet dhe mirënjohjen më të lartë, përkulemi me nder përpara veprës së dëshmorëve, që dhanë jetën për të mundësuar këtë ditë të lirisë e të pavarësisë, që gëzojmë sot. Kjo është padyshim një ditë gëzimi dhe lumturie për ne, por gjatë festimit të Pavarësisë ne ndiejmë dhimbje gjithashtu në zemrat tona për motrat apo vëllezërit tanë, të rënë apo të zhdukur, që kanë punuar për këtë realitet të sotëm ku po jetojmë, dhe në emër të qytetarëve të Kosovës dua të falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën, Italinë dhe të gjitha shtetet aleate perëndimore, të cilat besuan në kauzën tonë të drejtë dhe na ndihmuan për të siguruar lirinë dhe pavarësinë. Një mirënjohje dhe falënderim shkon për shtetin shqiptar dhe kontributin e jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, deklaroi Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.

***

Më tej, kryeministri i Kosovës shpalosi arritjet e politikës në këto gjashtë vite.

“Në një kohë rekord kemi arritur shumë. Arritëm marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit tonë dhe atij serb. Kemi zhbërë strukturat ilegale në veri të vendit dhe kemi mbajtur zgjedhjet e para demokratike. Duhet të jemi krenarë, pasi sfidat me të cilat jemi përballur kanë qenë të jashtëzakonshme. Po punojmë për një Kosovë ku sundon ligji, ku shtresat sociale të trajtohen me dinjitet, ku çdo qytetar të ketë shpresë dhe mirëqenie. Ne që kemi jetuar në robëri, e dimë vlerën e lirisë, e për këtë arsye do të punojmë që çdo kosovar të shijojë liritë dhe të drejtat e tij”, tha kryeministri.

Në fund, Thaçi u shpreh i bindur se Kosova do të kalojë me sukses edhe provimet e tjera që do i paraqiten në të ardhmen.

“Ne po dëshmojmë se demokracia jonë funksionon normalisht. Shumë sfida kemi para dhe të gjithë bashkë duhet të jemi të përgatitur për të bërë sakrificat e duhura. Unë jam i bindur se do i kapërcejmë këto sfida, pasi e kemi treguar edhe më parë këtë gjë”.

***

Në nder të kësaj dite, Deklarata e Pavarësisë dhe fotografi, të cilat tregojnë ngjarjen e 17 Shkurtit 2008, ishin vendosur në hollin e Kuvendit.

Pritja e Ambasadës së Kosovës
I gjithë spektri politik në Tiranë uron 6-vjetorin e Pavarësisë

Në 6-vjetorin e Pavarësisë, Ambasada e Kosovës në Tiranë organizoi një pritje, ku ishin të pranishëm krerët më të lartë të shtetit shqiptar, politikanë, ambasadorë dhe personalitete të fushave të ndryshme.

Të pranishmit i përshëndeti zëvendës/ambasadori, Gani Veselaj.

Në fjalën e tij, ai tha se ky përvjetor e gjen Kosovën me legjislacion të harmonizuar me atë të Parlamentit Europian.

Në planin e sigurisë, vazhdoi më tej zv/ambasadori, Kosova ka treguar se ka kontribuar në stabilitetin dhe paqen në rajon dhe më gjerë.

“Por, pavarësisht arritjeve, Kosova ka ende rrugë për të bërë, deri në anëtarësimin në Bashkimin Europian, NATO dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, theksoi zoti Veselaj.

Top Channel