Parlamenti Evropian nuk mbështet bojkotin. Kështu është shprehur raportuesi i PE-së për Maqedoninë, eurodeputeti britanik Richard Howit, i cili ka ftuar të gjitha partitë politike në Shkup të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale që mbahen më 13 prill.

“Këtë javë më kanë pyetur se çfarë mendojmë për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni dhe për kandidatët me të cilët do të garojnë partitë në këto zgjedhje. Unë nuk mund t’ju them partive poltike si të sillen dhe çfarë të bëjnë, kjo nuk është e drejtë dhe BE-ja nuk duhet ta bëjë këtë gjë. Megjithatë, kemi një porosi të qartë, duam që të gjitha partitë të marrin pjesë në zgjedhje dhe kjo duhet të kuptohet seriozisht”, ka deklaruar Howit.

Kjo porosi e zyrtarit të lartë evropian vjen disa ditë pasi partia shqiptare BDI, që bën pjesë në qeverinë e Shkupit, paralajmëroi se është duke shqyrtuar mundësinë për të mos marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale nëse partneri maqedonas i koaliconit refuzon nismën për president konsensual.

Ndërkohë, ambasadori i SHBA-vë në Maqedoni, Paul Walers ka thënë se bojkotimi i presidencialeve është çështje për të cilën vendosin vetë partitë dhe votuesit. Thirrje për bojkot ka bërë ditë më parë lëvizja qytetare Zgjohu, e cila vlerëson se pa votat e shqiptarëve presidenti i ardhëshëm i Maqedonisë do të jetë ilegjitim.

Top Channel