Shtyhet vizita e Ramës në Beograd

14/02/2014 00:00

Gazeta serbe “Politika” dhe mediat e tjera serbe shkruajnë se vizita e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, e paralajmëruar për muajin shkurt, është shtyrë sërish për shkak të zgjedhjeve parlamentarë në Serbi.

Në kohën kur Serbia po kalon në fushatë parazgjedhore, vizita do të ndodhë pas zgjedhjeve, por në një kohë të pacaktuar për momentin.

Vizitën e kishte paralajmëruar ministri i Jashtëm serb, Ivan Mrkiç, i cili kishte shprehur gatishmërinë për një vizitë të tillë dhe bashkëpunim rajonal.

Mediat serbe i patën kushtuar një rëndësi të veçantë vizitës së Ramës, duke e cilësuar si njërën prej vizitave më të rëndësishme në rajon.

Përveç Ilir Metës, në cilësinë e ministrit të Jashtëm dhe Bamir Topit, si president në konferencë rajonale, në nivel të lartë askush nga Shqipëria s’e ka vizituar Serbinë që nga viti 1946.

Top Channel