Pas mbledhjes që u mbajt të premten në Ulqin, partia Forca e Re Demokratike, koalicioni “Bashkë për të Ardhmen e Ulqinit” dhe lista Mali i Zi Pozitiv erdhën deri tek marrëveshtja dhe kështu fituan shumicën e mandateve në Kuvendin e Ulqinit.

Ata së bashku kanë 17 mandate, gjë që bën që fati i qytetit me shumicë të theksuar shqiptare në 4 vitet e ardhshme t’i takojë përsëri shqiptarëve.

Nga Këshilli Qendror i Forcës kanë lajmëruar se kanë pranuar të gjitha kërkesat e kreut të koalicionit BAU, Fatmir Gjeka dhe postin e kryetarit të komunës do ta marrë pikërisht ai në 4 vitet e ardhshme. Me këtë është pajtuar edhe bartësi i listës Mali i Zi Pozitiv, Dritan Abazoviç.

Mosmarrëveshjet parazgjedhore mes krerëve të fraksioneve politike shqiptare rrezikuan që qyteti me 70 për qind të banorëve shqiptarë të shkonte në duart e qeverisjes malazeze të Partisë Demokratike të Milo Gjukanoviç.

Nën skemën “përça dhe sundo”, shqiptarët nuk garuan në zgjedhjet e 26 janarit thjesht të çapërluar në forca të ndryshme politike, por shumë prej tyre ishin edhe pjesë e listave të partive jo shqiptare.

Kjo e çoroditi jo pak elektoratin, në një skemë që mesa u duk, përtej Ulqinit, në Podgoricë ishte përollogaritur më së miri. Kjo, pasi partia e Gjukoanoviç doli e para me 3177 vota.

Top Channel