Afganistan, lirimi i 65 të burgosurve

14/02/2014 00:00

65 të burgosurit e liruar, nga qendra e paraburgimit në kampin e Bagramit, janë shkaku i fërkimeve më të fundit mes Uashingtonit dhe Kabulit zyrtar.

Shtetet e Bashkuara e dënuan lëvizjen e autoriteteve afgane, duke thënë se është vërtet për të ardhur keq, që lihen të lirë persona përgjegjës për vdekjet e mjaft ushtarëve afganë e trupave të koalicionit, si dhe të civilëve vendas.

Kabuli, që e mori vitin e kaluar kontrollin e Bagramit, këmbëngul se ndaj këtyre të burgosurve nuk kishte prova të mjaftueshme për t’i mbajtur prapa hekurave.

Pastaj, lirimi i tyre – shtoi presidenti Hamid Karzai, – nuk është “punë e Shteteve të Bashkuara”.

Amerika, – tha Karzai pas një samiti të zhvilluar në kryeqytetin turk, Ankara – duhet t’i japë fund sulmeve ndaj gjyqësorit në Afganistan dhe të respektojë sovranitetin e këtij vendi.

Të ndaluarit nisën të dalin në grupe prej gjashtë personash nga dyert e burgut, që presidenti afgan e përshkroi si “fabrikë për prodhimin e talebanëve”.

Përpos këtyre 65 personave, tashmë të lirë, në Bagram besohet të jenë edhe 70 të burgosur të tjerë, që kanë statusin EST, apo kërcënim i vazhdueshëm për sigurinë.

Nëse do të vendoset edhe lirimi i tyre, nga ana e Shteteve të Bashkuara priten reagime shumë të forta.

Uashingoni dyshon se vendimi për të lënë të lirë dhjetra të burgosur, të konsideruar të rrezikshëm, është politik dhe jo ligjor, i cili është marrë nga vet Hamid Karzai.

Presidenti afgan, që përgatitet të lërë pushtetin brenda disa muajsh, po ndjek një linjë gjithmonë e më të fortë anti-amerikane, e cila është bërë e qartë edhe gjatë intervistave të tij të fundit televizive.

Pavarësisht përpjekjeve të Uashingtonit për t’i ndryshuar mendjen, Karzai refuzoi nënshkrimin e paktit të sigurisë me Shtetet e Bashkuara, që do t’u lejonte rreth 10,000 trupave amerikane qëndrimin në këtë vend edhe për disa vite të tjera.

Top Channel