Nadezhda Gaçe, kryeredaktore e javores “Novi Magazin”, beson se zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njeriu që shihet si fituesi i mundshëm i zgjedhjeve që në fillim të fushatës, ka ndryshuar vërtet mendimet, pavarësisht se sa radikal ka qenë dikur.

Ajo thotë se gjithçka do të shihet pas zgjedhjeve.

“Besoj se Vuçiç ka ndryshuar mendim. Nëse është duke e bërë këtë në mënyrën më të mirë ose jo, do ta shohim pas zgjedhjeve”, tha Nadezhda Gaçe.

Politika në Serbi ka marrë një formë tjetër dhe thuhet se në garë do të jenë të gjithë, por për vendin e dytë.

Boris Tadiç, ish-president i Serbisë, i është rikthyer skenës politike, duke shkatërruar demokratët e dikurshëm pasi doli nga partia. Në hapje të fushatës, ai tha Serbia ka kryer shumë punë politike, por lufta tani duhet të bëhet për qytetarët. Ish-fotomodeli duket se ka ende fansa.

“Serbia nuk është më një shoqëri konfliktuale. Kemi kryer shumë punë, por jam i bindur se në 15 muajt e fundit asgjë nuk është bërë, investimet kanë rënë tri-katër herë. Nuk ekziston një e ardhme e re dhe ne duhet të merremi me nevojat elementare të qytetarëve. Mbetet ende shumë punë për të bërë, ndaj dhe jam kthyer në politikë”, tha Boris Tadiç, Partia e Re Demokratike.

Në fakt, gjithçka filloi me disa arrestime të njerëzve të pasur, si dhe luftës së shpallur kundër korrupsionit. Kjo rriti vlerësimet për partinë progresiste, pasi njerëzit e lodhur nga ekonomia e dobët besojnë tek ata që flasin për korrupsionin. Por, zgjedhjet në Serbi janë kryesisht me ide të njëjta dhe Bashkimi Europian kërkon një partner, që do të zgjasë në skenë, në mënyrë që të mbarohen punët. Njësoj do të jetë edhe me njohjen e Kosovës.

“Një formulim do ta kenë për nevojat e brendshme dhe do thonë ‘ne nuk do ta njohim kurrë Pavarësinë e Kosovës’, por besoj se me kalimin e kohës do të vijë edhe një gjë e tillë”, tha Nadezhda Gaçe.

Një qeverisje e mirë në Serbi do të thotë shumë edhe për rajonin, pasi Serbia për vite të tëra ka qenë faktor stabiliteti, që në përkthimin e gjuhës diplomatike i bie destablizues.

Top Channel