GJERGJ EREBARA – Furgonët janë bërë simbol i kaosit shqiptar. Në shumë
raste drejtohen nga shoferë të krisur, të cilët janë të gatshëm të ecin
me shpejtësi përtej së imagjinueshmes, duke shkelur çdo rregull. Në disa
raste, gjetja e klientëve i ngjan një situate pengmarrjeje.
Është një nga ato lloj situatash ku fillon të besosh se ndoshta Adam Smithi e ka pasur gabim, se tregjet nuk vetërregullohen. Autobusët e linjave ndërqytetëse nga ana tjetër janë simbol i ngadalësisë. Të gatshëm për të ndaluar çdo 300 metra për të gjetur pasagjerë të rinj nga një fshat në një fshat dhe me durimin për të ecur me më pak se 30 kilometra në orë, udhëtimi me to nëpër Shqipëri shkon aq gjatë sa duhet të kesh nerva të çelikta.
Megjithatë, duhet pasur parasysh që ky treg tërësisht i lirë i furgonëve dhe autobusëve ka anën e vet pozitive. Çmimet e udhëtimeve janë shumë të ulëta dhe i nënshtrohen kërkesë-ofertës. Furgonët janë edhe një burim i rëndësishëm punësimi në një vend që nuk ka shumë alternativa pune përpos vetëpunësimit. Nëse në transportin urban kushton mesatarisht 30, 20 apo 10 lekë një kilometër rrugë me autobus, në linjat e liberalizuara interurbane, si fjala vjen, Tiranë-Durrës, paguhet vetëm 3.7 lekë për kilometër rrugë.
Qeveria shpalli se ka ndër mend t’i japë fund kësaj situate, duke hequr furgonët nga rruga e duke dhënë licenca për linja transporti ndërurban të rregullt me autobusë.
Natyrisht, fjala “licencë” apo “tender” ngre një nerv në mendjen e çdo shqiptari. Ato janë sinonime të fjalëve “monopol” apo “grabitje”. Por janë edhe sinonim i shërbimit të keq me çmime jo aq të ulëta. Transporti urban në Tiranë p.sh. është një simbol se sa keq funksionon një shërbim publik i monopolizuar me autoritetin e shtetit dhe me atë që teorikisht duhet të jetë mbikëqyrje nga ana e shtetit e çmimeve dhe cilësisë së shërbimit. Autobusët e Tiranës mbingarkohen në oraret e pikut pasi pronarët ndjekin fitimin më të lartë. Në orët jashtë pikut, si natën, nuk ka fare shërbim urban.
Në një situatë teorike, shteti duhej t’i mbikëqyrte këto shërbime duke i detyruar pronarët të japin shërbim jo të mbingarkuar në orët e pikut dhe të ruajnë një shërbim minimal edhe gjatë orëve të natës. Një pjesë e fitimeve në orët me trafik të lartë do të duhet të mbulojnë humbjet në orët me trafik të ulët. Kuptohet që sinonimet “monopol” dhe “grabitje” bëjnë që shteti të mos kryejë rolin e vet.
Kjo krijon situatën ku kaosi tërësisht i liberalizuar i furgonëve të japë një shërbim po aq të keq sa edhe shërbimi monopol i privatizuar i autobusëve të licencuar nga autoritetet.
Nëse qeveria vijon me planin për të ashtuquajturin “rregullim” të linjave ndërurbane të transportit publik nën pronësi private, nuk do të bëjë gjë tjetër veç asaj që ka bërë në Tiranë. Si modeli aktual i tregut të lirë, ashtu edhe ai i propozuar nga qeveria i monopoleve private në transport, ofrojnë të njëjtën cilësi të keqe shërbimi, por në rastin e dytë çmimet janë më të kripura.
Zgjidhja kuptohet se është te sundimi i ligjit. Librat e mbrojtjes së konsumatorit sugjerojnë që kemi të bëjmë me një formë kontrate ligjore që vijon në kohë, të cilat, ndryshe nga kontratat e çastit, do të duhet të zbatohen për një kohë të caktuar pas nënshkrimit. Bashkimi Europian u ka dhënë rrugë këtyre problemeve, të cilat nuk janë probleme të tregut të lirë, por probleme të mosfunksionimit të shtetit, duke ngritur institucione në mbrojtje të të drejtave të konsumatorit, duke mbikëqyrur kontratat e vazhdueshme e duke detyruar palët, zakonisht kompanitë e biznesit, të mos ndryshojnë rregullat rrugës në dëm të konsumatorit. Ky është roli i shtetit, të mbikëqyrë zbatimin e kontratave, jo të krijojë monopole në emër të zhdukjes së kaosit të tregut të lirë. Dhe këtë gjë duhet të bëjë me transportin urban e ndërqytetës, jo të ndalojë furgonët të punojnë, sepse një ndalim i tillë bie ndesh me të drejtën kushtetuese të të bërit punë dhe biznes, por duke i cytur të pranojnë disa rregulla të përgjithshme, përfshirë tarifat, kohëzgjatjen e udhëtimit, kohën e nisjes, numrin e ndalesave gjatë rrugës, shpejtësinë mesatare e të tjera si këto. Kjo mund të bëhet shumë thjesht, duke ndërtuar stacione autobusi nëpër qytete si pika reference. Krijimi i monopoleve të reja private nuk është një gjë shumë e këndshme. Sa i përket shqetësimit të ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, për faktin që furgonët janë shpesh burime aksidentesh, fakti është se Sida ndalohet duke marrë masa mbrojtëse, jo duke hequr dorë nga seksi.
Top Channel