Ndahet nga jeta Skënder Sallaku

11/02/2014 00:00

Ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare aktori i njohur i humorit dhe cirkut të Tiranës, Skënder Sallaku.

Prej gati një muaji ai ishte shtruar në spitalin “Nënë Tereza” pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Skënder Sallaku, Artist i Popullit, një ndër aktorët më të mirë të humorit shqiptar, ish-kampion kombëtar në mundjen klasike, autor skeçesh dhe parodish, do të kujtohet nga të gjithë për interpretimin e tij brilant në cirk dhe në estradë.

Kllouni i parë i cirkut shqiptar u lind në Tiranë në 25 janar të vitit 1935. Ai kreu studimet në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” dhe vijoi më tej me një kualifikim në cirkun e Pekinit.

Ai ka luajtur edhe në disa filma, mes të cilëve kujtojmë “Estrada në ekran”, “Kur hiqen maskat”, “Cirku në fshat”, “Gjuetia e fundit” etj.

Skënder Sallaku është përfaqësuesi më i denjë i kllounatës në cirk dhe komedisë shqiptare.

Kryeministri Edi Rama, përmes rrjetit social Facebook ka ngushëlluar familjen e të ndjerit.

“Lajm i trishtueshëm vdekja e Skënder Sallakut, humoristit popullor që në kohë të zymta bëri të qeshin pleq e fëmijë! Ngushëllime familjes”, është shprehur Rama.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha shprehu hidhërimin e tij për ndarjen nga jeta të aktorit Sallaku.

“Ndarja nga jeta e legjendës së humorit tiranas Skënder Sallaku më trishtoi pa mase. Pak jave më pare u takuam në Bashki. Përcillte si gjithmonë po atë humor dhe optimizëm që e shoqëronte emrin dhe pranine e tij prej dekadash. Skënder Sallaku ishte një nga artistët më të dashur për çdo qytetar të këtij vendi pavarësisht moshës. Ngushëllime familjes, miqve dhe artdashësve të tij të shumtë”, shprehet Basha në mesazhin e tij në Facebook.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA