Komisioni parlamentar për legjislacion, as në mbledhjen e së hënës nuk ka arritur diçka për draftligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. 

Komisioni anuloi edhe tryezën e caktuar për këtë çështje, që do të
zhvillohej në zonën turistike të Prevallës të martën dhe të mërkurën. Shkak i anulimit është vendimi i kryesisë së Kuvendit për të mbajtur seancë plenare të martën.

Kryetari i komisionit, Arben Gashi tha se diçka e ngjashme do të mbahet të premten, por në kuvendin e Kosovës. Ai ftoi gjithë anëtarët, shoqërinë civile dhe përfaqësuesit e KQZ-së që të premten nga ora 10:00 të jenë të pranishëm për të punuar në ligjin zgjedhor, përkatësisht në materialin e spastruar nga administrata e Kuvendit të komisionit ad hoc për këtë ligj.

Sipas Gashit, të premten komisioni dhe palët e interesuara do t’i shqyrtojnë nenet e ligjit veç e veç, në mënyrë që të hartohet një draft i cili do t’i kalojë Kuvendit për leximin e parë. Mbetet të shihet nëse komisioni do ta proçedojë projektligjin në qeveri. Edhe kjo një punë që do të bëhet me proçedurë të përshpejtuar.

As në këtë mbledhje nuk munguan polemikat mes deputetëve të opozitës dhe pozitës. Ishte deputeti i PDK-së Halit Krasniqi, i cili e ktheu në humor debatin duke kërkuar pushimin e faljes së Namazit ditën e premte për deputetin e Partisë së Drejtësisë Gëzim Kelmendi, anëtar i komisionit.

Krasniqi u kujdes që edhe anëtaret e komisionit që kanë fëmijë t’u jepet koha e pauzave. I menjëhershëm ishte reagimi i deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu. Ajo kërkoi nga Krasniqi që ta marrë më seriozisht punën për ndryshimin e ligjit zgjedhor.

Top Channel