Universiteti i Prishtinës ka mbetur pa katër nga nëntë anëtarët e Këshillit Drejtues të tij. Në një mbledhje që ka përfunduar në orët e drekës, përveç kryetarit Muharrem Nitaj, dorëheqjen e kanë deklaruar edhe nënkryetari Arben Fetoshi, si dhe dy anëtarët e tjerë, Nezir Çoçaj e Elife Podvorica, të emruar nga ministri i Arsimit, Ramë Buja.

Dorëheqjen nuk e kanë deklaruar ende pesë anëtarët e tjerë, të cilët janë deleguar me votën e Senatit të UP-së. Në këtë situatë Këshill vazhdon të mbetet me profesorët Beqir Sadikaj, Behxhet Mustafa, Ajvaz Berisha, Blerim Kamberi dhe Safet Merovci.

Dorëheqja e anëtarëve të Këshillit Drejtues vjen pas asaj të dhënë ditën e shtunë nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, pas protestave masive të studentëve. Përmes një komunikate me shkrim, Gashi tha se e kishte marrë vendimin pas një presioni psiqik e emocional.

“Kam vendosur për këtë hap pas një presioni të vazhdueshëm, shpesh herë edhe të pandershëm dhe me implikime të thella politike të një grupi të studentëve, një pjese të shoqërisë civile dhe të qarqeve të caktuara politike”, tha Gashi. Ai vijoi duke u shprehur se:

“Kam dashur që, për përgjegjësinë eventuale të cilitdo, e në këtë kuadër edhe përgjegjësinë time, fjalën e tyre fillimisht ta thonë organet e Universitetit, por, meqë presioni që po ushtrohet ndaj Universitetit tashmë ka rrezikuar funsionimin e tij, atëherë vendosa të jap dorëheqje i bindur se me këtë akt Universiteti do të lihet i qetë që të kryejë punën e vetë”.

Ish-rektori u shpreh i bindur në pafajsinë e tij, duke thënë se dorëheqja nuk nënkupton ikje nga përgjegjësia.

Top Channel