Nëpërmjet një komunikate për media Komuna e Prishtinës është munduar të
sqarojë paqartësitë e krijuara rreth përmbajtjes së sulfurit në naftën
për ngrohje të shkollave.

Në një komunikatë për media thuhet se komuna ka kontraktuar naftë diesel për ngrohje dhe jo vajra për ngrohje për cfarë duhet infrastrukturë tjetër, oxhaqe të larta dhe filtra të cilat shkollat e Kosovës nuk i kanë.

Në këtë mënyrë nënkuptohet se shkollat e Prishtinës janë furnizuar me vajra për ngrohje e jo me naftë diesel për atë që janë kontraktuar. Sipas komunës udhëzimi administrativ i Ministrisë së Tregtisë e specifikon qartë se në diesel niveli i squfurit nuk duhet të jetë mbi 10 ppm.

Ndërkohë, sipas rezultateve të para nga laboratorët e licencuara nga Ministria e Tregtisë dhe industrisë niveli i sulfurit nëpër disa shkolla ishte 600 për qind më i lartë se sa lejohet me udhëzimin administrativ të MTI-së.

“Më 7 shkurt 2014, Komuna e Prishtinës ka pranuar rezultatet e para nga laboratorët e licencuara nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, me ç’rast rezultatet ishin alarmante. Sipas këtyre raporteve niveli i squfurit nëpër disa shkolla ishte 600% më i lartë se sa lejohet me Udhëzimin Administrativ te MTI-së” thuhet në komunikatën e Komunës së Prishtinës.

Komuna e Prishtinës thotë se nuk do të bjerë pre e presionit qeveritar në këtë çështje dhe nuk do të lejojë që të rifillojë procesi mësimor në asnjë shkollë, pa u siguruar se shëndeti i fëmijëve nuk është në rrezik. Po ashtu Komuna ju bën thirrje të gjithë prindërve dhe qytetarëve që së bashku të përpiqen të zbardhin rastin në fjalë.

Top Channel