Subjektet politike në opozitë në Kosovë nuk kanë nismë të përbashkët për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Thaçi.

Lidhja Demokratike e Kosovës, lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ndajnë mendimin e përbashkët se puna e qeverisë po degradon çdo ditë e më shumë, por arsyet për të cilat nuk mund ta rrëzojnë janë të ndryshme.

Fillimisht thuhet se është çështje votash në Kuvend e më pas një problem tjetër që theksohet nga shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini është nevoja për përfundimin i reformës zgjedhore.

“Arsyeja përse nuk ka është e shumëfishtë. E para është ndryshimi i kodit zgjedhor, që është tepër me rëndësi. Arsye tjetër është se nuk ka bllok në opozitë për të vepruar”, deklaroi Gjini.

“Kur të konstatojmë se këtë mund ta bëjmë do ta bëjmë. Por kjo nuk është çështje vetëm individuale por edhe e LDK-së në tërësi”, deklaroi kreu i grupit të LDK-së, Ismet Beqiri.

“Së fundmi të gjithë po e pranojnë se sistemi zgjedhor duhet të mbetet kështu siç është. Sa për menaxhimin e zgjedhjeve, aty ka shumë hapësirë për t’u përmirësuar. Por zvarritja e reformës zgjedhore vjen nga interesat politike të partive. Ajo që po quhet reformë zgjedhore është a do të pranohen vendet e rezervuara për pakicat”, deklaroi kreu i grupit të VV, Visar Ymeri.

“Koalicioni është i qëndrueshëm, institucionet po ashtu. Keni pasur qeveri edhe më herët, keni provuar disa parti, por referojuni edhe gjendjes në terren. Ky popull asnjëherë në historinë e vetë nuk ka pasur kaq zhvillime pozitive”, deklaroi më tej Adem Grabovci, kryetar i grupit të PDK-së.

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e së hënës vendosi që vazhdimi i seancës së kaluar të bëhet të martën ndërsa seanca e re do të mbahet të premten.

Top Channel