Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka prezantuar në profilin e tij në rrjetin social Facebook logon e re për 6-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Me këtë rast, kryeministri ka bërë edhe një koment të shkurtër: “Më 17 shkurt do të festojmë përvjetorin e gjashtë të Deklaratës së Pavarësisë. Kemi arritur shumë në këto 6 vite, kemi rrumbullakosur dhe konsoliduar pavaresinë dhe sovranitetin”.

Më pas kryeministri ka ftuar përdoruesit që ta përhapin sa më shumë në rrjetin social logon e re, e cila deri në orët e pasdites ka marrë rreth 84.550 ‘like’.

“Kjo është logoja zyrtare e kremtimit të Ditës së Pavarësisë. Bëni ‘share’ dhe ndani edhe ju me miqtë tuaj ngjyrat e pavarësisë sonë gjatë kësaj jave”, ka qenë ftesa e Thaçit.

Ndërkohë, Thaçi, pas Facebook dhe Instagram, sot ka hapur llogarinë e tij edhe në Twitter, një prej rrjeteve sociale më të përdorura nga politikanët anekënd botës.

“Cicërima ime e parë personale në Titter. Shpresoj se do ta përdorim edhe këtë kanal komunikimi për bashkëpunim”, ka shkruar Thaçi.

Top Channel