Dy ditë pasi ministri i Brendshëm grek ka çuar në Parlament amendamentin e ri të qeverisë, i cili u heq të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur homogjenëve dhe emigrantëve të huaj në zgjedhjet e ardhshme lokale në Greqi, ish-kryeministri Jorgos Papandreu reagon ashpër me një artikull në faqen e tij zyrtare.

I njohur për përkrahjen e këtyre grupeve shoqërore, duke nxjerrë edhe ligjin e parë për marrjen e nënshtetësisë nga ana e fëmijëve të emigrantëve dhe pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet vendore, në kohën kur drejtonte shtetin grek, Papandreu deklaron se, në një kohë kur Greqisë i nevojiten më shumë reforma intensive, për të trajtuar problemet reale që shqetësojnë vendin dhe për të krijuar kushtet për më shumë demokraci, barazi dhe ligjshmëri, kthimi në konceptet, mentalitetet dhe sjelljet që na mbajnë robër të atyre praktikave që sollën krizën, tani janë dukuri të zakonshme.

Duke hedhur pyetjen “Përse ka frikë kjo qeveri?”, ai fajëson kabinetin Samaras që, me këtë amendament kërkon të privojë këtë të drejtë për ata njerëz të ligjshëm, që banojnë në Greqi, që punojnë në ndërtim, në restorante, në hotele, kujdesen për të sëmurët në shtëpitë e grekëve dhe për fëmijët e tyre, që kanë hapur edhe biznese të vogla, duke ndihmuar në zhvillimin e vendit.

Papandreu thotë se qeveria, me këtë mënyrë, nuk kontribuon në integrimin normal të emigrantëve, por krijon një boshllëk politik dhe psikologjik, që përforcon dyshimin dhe racizmin.

Gjithashtu, ai e quan të turpshëm faktin që, emigranti që punon në Greqi përdoret si “dashi i kurbanit” për problemet e një sistemi politik dhe ekonomik, që ka nevojë për ndërhyrje radikale.

Duke përfunduar, ish-kryeministri grek, që mban ende postin e liderit të Internacionales Socialiste, i bën thirrje qeverisë se, me veprimet e saj po godet demokracinë, të drejtat civile dhe politike.

Në vend të bashkojë forcat shoqërore – thekson ai, – kultivon një frymë negative që përforcon ndarjen sociale dhe shkatërron shoqërinë.

Top Channel