Pas Angela Merkel, komentet e ndihmës/Sekretares amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, për BE-në i dënoi ashpër edhe presidenti i Këshillit të Europës.
Gjatë një interviste për një stacion televiziv belg, Herman van Rompuy tha se përdorimi i një gjuhe të tillë, kaq vulgare, nga ana e zyrtares së lartë amerikane, është “krejtësisht i papranueshëm”.
Komentet e Nuland ishin pjesë e një telefonate, që rrodhi në median sociale. Në bisedën telefonike me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, Geoffrey R. Pyatt, ajo përdori gjuhë vulgare për të sugjeruar se Shtetet e Bashkuara duhet ta injorojnë qëndrimin e Bashkimit Europian për zgjidhjen e krizës në Ukrainë.
Vetë Nuland u shpreh, një ditë më parë, se nuk ka ndërmend të komentojë për atë, që e cilëson “një bisedë private diplomatike”, duke preferuar ta mbyllë argumentin me ndjesën e kërkuar partnerëve europianë.
Në të njëjtën telefonatë, ndihmës/Sekretarja e Shtetit kritikonte edhe rolin e politikanit opozitar ukrainas, Vitali Klitschko, e shprehej se nuk ishte ide e mirë, që ai të merrte pjesë në qeveri.
Për Departamentin e Shtetit ishte krejtësisht e qartë se kush e bëri publike telefonatën. “Ky është një tjetër nivel i ulët i taktikës ruse të spiunazhit”, tha zëdhënësja, Jen Psaki.
Mjaft ekspertë mendojnë se stuhia e fyerjeve diplomatike, që ka përfshirë aktualisht shprehjet përçmuese të Nuland ndaj politikës së BE-së për Ukrainën, është dëshmi paaftësie.
Por, ndoshta zyrtarja e lartë – shtojnë ata, – shpreh diçka që e mendojnë mjaft europianë dhe amerikanë. As Shtetet e Bashkuara dhe as blloku nuk po luajnë ndonjë rol të rëndësishëm në përpjekjet për vënien e situatës nën kontroll në Ukrainë.
Në vend të kësaj, dëgjohen breshëri akuzash të ndërsjellta. SHBA-të janë tepër energjikë dhe të vrullshëm, ndërsa BE e tërhequr. Pikërisht kjo e fundit është bërë tani temë, gjithashtu bazuar në regjistrimin e një telefonate mes dy diplomatëve të BE-së, të cilët flasin keq për atë që u tha nga diplomatja amerikane.
Top Channel