
Një stuhi e ashpër dëbore ka përfshirë Tokion, në Japoni, me autoritetet që kanë paralajmëruar qytetarët që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të shmangin daljet.
Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se bëhet fjalë për stuhinë e parë të dëborës që përfshin qytetin në 13 vitet e fundit, duke bërë që të anulohen qindra fluturime, të mbyllen rrugët dhe të ndërpriten shërbimet hekurudhore.
Mediat lokale kanë raportuar se të paktën 43 persona janë lënduar për shkak të aksidenteve të lidhura me dëborën, që në orët e para të së shtunës kishte arritur deri në 4 centimetra.
Parashikuesit e motit kanë paralajmëruar se për shkak të presionit të ulët atmosferik që është drejtuar për në lindje të Japonisë, më shumë dëborë mund të bjerë në vazhdim.
Sipas televizionit publik, janë mbi 600 fluturimet e anuluara, ndërsa dy aeroporte, ai në Hiroshima dhe Kagaua janë mbyllur. Linjat hekurudhore me shpejtësi të lartë, Tokaido dhe Sanyo, që veprojnë në Japoninë qëndrore dhe perëndimore, kanë pësuar vonesa dhe kanë udhëtuar me shpejtësi të reduktuar.
Vitin e kaluar disa pjesë në veri të Japonisë u përfshin nga një dëborë e dendur që arriti deri në 5.5 metra thellësi, një rekord ky që shkaktoi shëmbjen e ndërtesave për shkak të peshës së akullit.
Top Channel