Victoria Nuland kërkoi ndjesë

07/02/2014 00:00

Biseda telefonike mes ndihmës/Sekretares së Shtetit, Victoria Nuland, dhe ambasadorit të SHBA-ve në Kiev, Jeffrey Payet, dëshmon krisjen e thellë në marrëdhëniet mes Amerikës dhe Europës.

Uashingtoni preferon një marrëveshje në Ukrainë, të ndërmjetësuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe jo nga Brukseli.

Nëse kjo do të rezultojë e vërtet, ashtu siç dëgjohej nga biseda telefonike mes dy diplomatëve, atëherë do të ishte lënduese për ndjenjat e zyrtarëve të Bashkimit Europian, sepse besojnë se këtë krizë duhet ta zgjidhin ata.

Zëdhënësja e qeverisë gjermane, Kristian Virtz, tha se “ofeza zyrtare e SHBA-ve, ndaj përpjekjeve të BE-së për të negociuar krizën në Ukrainë, është totalisht e papranueshme”.

“Kancelarja i cilëson këto komente totalisht të papranueshme dhe kërkon të nënvizojë se zonja Ashton po bën një punë të jashtëzakonshme. Bashkimi Europian do të vazhdojë përpjekjet me më shumë intensitet për të qetësuar situatën në Ukrainë”.

Victoria Nuland kërkoi ndjesë për fjalët e rënda që përdori për BE-në. Materiali audio u publikua në internet dhe SHBA-të akuzuan Rusinë për përgjimin dhe shpërndarjen e saj.

Në Kiev, Nuland tha se nuk do të bëjë asnjë deklaratë publike për çështjen. Ajo e përshkroi materialin duke thënë se “ishte një spiunazh mbresëlënës. Cilësia e audios ishte shumë e mirë”.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se u kishte kërkuar ndjesë në rrugë private zyrtarëve të BE-së.

Materiali audio, që zgjaste 10 sekonda, titullohej “Marionetat e Maidanit”, duke iu referuar sheshit në Kiev, ku zhvillohen prej muajsh protestat pro-europiane. Nuland dhe Payet flisnin edhe për tre udhëheqësit e opozitës dhe për arritjen në bashkëpunimin e tyre.

Top Channel