Partia shqiptare në qeverinë maqedonase, BDI, ka humbur shpresat për arritjen e një marrëveshjeje me partneren e koalicionit VMRO-DPMNE, për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenaciale me një kandidat të përbashkët.

Këtë e ka bërë të ditur nismëtari i kësaj ideje, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, i cili ka thënë se për këtë çështje ndajnë qëndrime krejtësisht të kundërta me kryeministrin Nikolla Gruevski.

“Deri tani nuk ka afrim pozicionesh, ato janë shumë larg dhe nuk shpresoj se do të arrihet ndonjë marrëveshje për kandidat të përbashkët nga dy shumicat që kanë legjitimitetin”, ka thënë Ahmeti.

Nisma për president konsensual është cilësuar e pakuptimtë nga kreu i PDSH-së opozitare, MenduhThaçi, i cili ka deklaruar se partia e Ahmetit konsensus duhet të kërkojë në ekzekutiv, atje ku sipas tij, merren vendimet që dëmtojnë interesat e shqiptarëve. Me këtë rast, Thaçi ka ftuar për bashkëpunim Ahmetin për të avancuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

“Ne jemi të gatshëm, ashtu siç i kam thënë edhe zotit Ahmeti, që të vendosim para nesh një platformë. E para, çështja e integrimeve; e dyta, ndarja e drejtë dhe proporcionale e buxhetit; e treta, zyrtarizimi i tërësishëm i gjuhës shqipe; dhe e katërta, ngritja e mekanizmit të konsensusit të pjesshëm të Badenterit në Parlament në konsensus të plotë. Të tjerat pastaj janë shumë të lehta”, ka thënë Thaçi.

Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi ka shtuar se nuk do t’i ftojë shqiptarët që të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale në Maqedoni edhe nëse partia e tij nuk merr pjesë në to. Ndërkohë, partia e Ali Ahmetit, BDI, po i shqyrton të gjitha mundësitë.

Top Channel