“Pse nuk performuam live në Super Bowl”

05/02/2014 00:00

Më në fund dikush po tregohet i sinqertë. Flea, basisti i Red Hot Chili Peppers, ka pranuar se grupi nuk performoi “live” në pushimin e ndeshjes së Super Bowl, mbrëmjen e së dielës.

Në një letër të hapur në faqen e internetit të bandës, 51-vjeçari sqaroi se vetëm vokalisti Anthony Kiedis këndoi “live” së bashku me Bruno Mars, ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit thjesht “aktruan”.

Por, basisti tha se ishte NFL-ja (National Football League) ajo që donte të regjistronte këngën Give It Away.

“Kur NFL-ja dhe Bruno na kërkuan të luanim këngën tonë Give It Away në Super Bowl, na u bë e qartë se vetëm vokali do të ishte “live”, ndërsa basi, kitara dhe bateria do të ishin të regjistruara. E pranuam këtë gjë pasi e dimë që organizatorët kanë vetëm pak minuta kohë për të ngritur skenën dhe ka miliarda gjëra të vogla që mund të shkojnë keq dhe të prishin të gjithë spektaklin për ata që e shikojnë në stadium dhe televizor”, shpjegoi Flea.

Top Channel