Edhe të mërkurën, qindra studentë marshuan nga konviktet drejt Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, ndërkohë që nga përmendorja e Skënderbeut, atyre iu bashkangjit edhe shoqëria civile, duke e çuar numrin e protestuesve në rreth 1000.

Dyert e oborrit të Rektoratit, kësaj here nuk kanë qenë të mbyllura dhe, për dallim nga ditët e tjera, në mesin e forcave policore që po qëndronin në oborrin e Rektoratit, nuk ishin edhe ato të njësisë speciale të Policisë së Kosovës.

Në përkrahje të kërkesave të studentëve protestues doli sërish profesori i UP, Arben Hajrullahu, i cili e konsideron si të drejtë shkarkimin e rektorit Ibrahim Gashi.

“Në cilësinë e profesorit të UP-së, shpreh solidarizimin tim me studentët e bashkuar dhe jopartiak. Ftoj të gjitha institucionet e këtij vendi, që ta mbështesin UP-në e ta kthejnë atë në promotorin e dijes dhe të zhvillimit. Ky është misioni ynë”, tha Arben Hajrullahu, profesor i UP.

Ndërsa Ilir Deda, nga organizata KIPRED, duke rikujtuar rezistencat studentore ndaj pushtetit serb në Kosovë, tha se prania e Policisë së Kosovës në oborrin e Rektoratit nuk i ka hije këtij institucioni.

“Studentët kërkojnë, veç faktit që të mos ketë plagjiaturë në universitet, edhe largimin e policisë sonë, që nuk përbën një figurë të mirë përpara një Rektorati. Beteja juaj është e drejtë dhe ka për të fituar. Qytetarët janë në shërbimin tuaj, për ta fituar këtë kauzë”, tha Ilir Deda nga KIPRED.

Në lidhje me zhvillimet e fundit në universitetitn publik, të enjten pritet të diskutohet në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës. Gjatë kohës kur do të zhvillohet sanca në Kuvend, studentët paralajmëruan marshim drejt Rektoratit.

“Kemi besim se në seancë do të tregohet se deputetët janë të popullit, do të mendojnë për ne dhe për gjithçka që i përket popullit. Kryesore për këtë popull është ky universitet, që ka edhe karakter historik, pasi është universitet publik për të gjithë. Ndaj dhe besojmë se do të marrin një vendim sa më të drejtë politik për universitetin. Për t’ua lehtësuar atyre këtë vendim, ne do ta riorganizojmë marshimin, ashtu sikurse sot dhe pardje, në orën 12:00”, tha Fitim Salihu, nga “Studentët e Bashkuar”.

Ndërkohë, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, përmes një komunikate, njofton se këshillat mësimorë të njësive akademike të UP-së, siç janë Fakulteti Filozofik, ai i Filologjisë, ai Ekonomik, ai Juridik, ai i Shkencave Sportive, Fakultetet teknike, Fakulteti i Edukimit dhe njësi të tjera akademike, u kanë dhënë mbështetje pa rezervë institucioneve më të larta të UP-së, për zgjidhjen e problemeve me të cilat po përballet Universiteti i Prishtinës.

Nga këta këshilla mësimorë, protestat konsiderohen si projekte politike të grupeve të caktuara.

Top Channel