Libia shkatërron arsenalin e armëve kimike

05/02/2014 00:00

Libia bëri të ditur gjatë së martës se ka shkatërruar tërësisht arsenalin e saj të armëve kimike, përfshi predhat e artilerisë dhe bombat e mbushura me gaz mustard.

Shkatërrimi, i kompletuar vetëm pak ditë më parë, ishte një “arritja e rëndësishme” për Libinë në përmbushjen e detyrimeve të saj, bazuar mbi konventën e armëve kimike, bëri të ditur Ministria e Jashtme e këtij vendi.

“Libia ka arritur të çlirohet tërësisht nga armët e përdorshme kimike, të cilat mund të përbënin një kërcënim potencial për sigurinë e komuniteteve lokale, mjedisin dhe zonat e fqinjëve”, deklaroi ministria.

Sipas Andrew C. Weber, ndihmës/Sekretari amerikan i Mbrojtjes për programet e mbrojtjes bërthamore, kimike e biologjike, armët e shkatërruara ishin: 517 predha artilerie të mbushura me gaz mustard, 8 bomba 250 kilogramshe, gjithashtu të mbushura me gaz mustard, si dhe 45 tunele ku depozitohej ky gaz i rrezikshëm.

“Jemi siguruar se këto lloj armësh nuk do të bien kurrë në duart e ekstremistëve të dhunshëm, kështu që po shmangim në maksimum potencialin për terrorizmin me armë të shkatërrimit në masë”, tha Weber për reporterët në Tripoli.

Operacionet e shkatërrimit gjatë këtyre muajve të fundit kanë qenë përpjekje të bashkërenduara mes libianëve të trajnuar për këto detyra, si dhe asistencë teknike e mbështetje logjistike të ofruar nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania e Kanadaja.

Faza e ardhshme do të jetë përgatitja për shkatërrimit të “prekursorëve kimike”, apo armëve kimike të kategorisë së dytë, bën të ditur Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCW). Zyrtarët thanë se shkatërrimi i prekursorëve kimikë pritet të kompletohet brenda vitit 2016.

Top Channel