Rusi, në rrezik mbyllje televizioni opozitar

04/02/2014 00:00

Televizioni rus “Dozhd”, një prej të paktëve që kundërshton autoritetet e vendit rrezikon të mbyllet, paralajmëroi ditën e martë pronari i rrjetit.

Deklarata u be pasi televizioni i fundit kabllor që kishte pranuar të përfshihej në platformën e “Dozhd”-it, vendosi këtë javë që të ndërpriste bashkëpunimin.

Një javë më parë, “Dozhd” u vendos në qendër të kritikave kombëtare, pasi në një sondazh pyeste rusët nëse duhet të ishte dorëzuar Leningradi (sot Shën Pjetërburgu) tek gjermanët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në mënyrë që të shpëtoheshin jetët e banorëve të qytetit.

Ndonëse televizioni kërkoi më pas ndjesë dhe shpjegoi se nuk dëshironte të fyente ndienjat e askujt, por thjesht po bënte një hulumtim mbi të shkuarës historike, kjo mjaftoi që një sëri televizionesh të shkëputeshin nga platforma e përbashkët.

Sipas opozitës, pyetja e shumëkritikuar e “Dozhd”-it në të vërtetë ka shërbyer vetëm si një preteks për të fundosur platformën, pasi shumë televizione më të vogla ishin tashmë nën presionin e qeverisë për të ndërprerë bashkëpunimin.

Gjatë aktivitetit të tij, “Dozhd” ka transmetuar disa herë opinionet e kundërshtarëve të presidentit Vladimir Putin, përfshi aktivistit Alexei Navalny, i cili gjatë 2013-s humbi në garën për kryetar bashkie i Moskës.

Top Channel