Britani, në pranga këshilltari i Cameron

04/02/2014 00:00

Një nga këshilltarët e kryeministrit britanik David Cameron është arrestuar nën dyshimin e një krimi të lidhur me foto të abuzimit të fëmijëve.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Downing Street. Patrick Rock, 62 vjeç, dha dorëheqjen si nënkryetar i njësisë së politikave më 12 shkurt.

Zyra e kryeministrit deklaroi se kishte qenë në dijeni të shkeljes dhe e raportoi çështjen tek Agjencia Kombëtare e Krimit, NCA, që arrestoi zotin Rock në shtëpinë e tij më 13 shkurt. Nga ana e saj, NCA nuk e ka konfirmuar arrestimin.

Një zëdhënës i Downing Street tha se pas arrestimit të Rock u angazhua që oficerët e policisë të kishin akses tëk plotë tek kompjuterët dhe zyrat që konsideronin të rëndësishme për hetimin. Sipas zëdhënësit, edhe kryeministri u informua menjëherë dhe u mbajt në dijeni në lidhje me ngjarjen.

“Ky është një hetim në zhvillim, kështu që nuk do të ishte e përshtatshme të komentoja më tej, por kryeministri mendon se çështja e pamjeve të abuzimit të fëmijëve është diçka e tmerrshme dhe se kushdo që është i përfshirë në të duhet të përballet me ligjin”, deklaroi zëdhënësi.

Korrespondenti politik i BBC, Iain Watson deklaroi se Rock kishte qenë një personazh i rëndësishëm në rangjet më të larta të Partisë Konservatore për tre dekada.

Fillimisht ai kishte punuar për Margaret Thatcher dhe ishte kthyer në Downing Street nga David Cameron në 2011. Si shef i njësisë së politikave, ai ishte një nga disa zyrtarë që kanë punuar për politikat për heqjen e fotove të abuzimit të fëmijëve nga interneti, shton korrespondenti.

Top Channel