Zhbllokohen fondet e Iranit

02/02/2014 13:10

Irani mundi të zhbllokonte ditën e dielë këstin e parë prej 4,2 miliardë dollarësh, të fondeve që i ishin bllokuar nga bankat dhe institucionet e huaja financiare, si pjesë e bllokadës së shpallur nga OKB mbi Teheranin për shkak të programit të tij bërthamor.

Lajmi u konfirmua nga Televisioni Shtëtëror Iranian.

Zhbllokimi i fondeve vjen pasi qeveria e Rouhanit arriti të firmoste në muajin Nëntor një marrëveshje paraprake, që lejon një transparencë dhe kontroll të fuqive të mëdha mbi programin bërthamor iranian.

Si pjesë e lëshimeve për të cilat ranë dakord përfaqësuesit e SHBA-së, Rusisë, Kinës, Francës, Britanisë dhe Gjermanisë, në tryezën e bisedimeve, ishte edhe zhbllokimi i këtyre fondeve dhe rilejimi i eksportit të naftës iraniane.

Nga ana e tij, Irani zotohet të shkatërrojë të gjithë uraniumin e pasuruar në nivelin 20%, i cili mund të përdoret edhe në armët bërthamore, duhet të ndalë pasurimin e mëtejshëm të uraniumit mbi 5% dhe të dorëzojë centrifugat ku mund të bëhet pasurimi i mëtejshëm.

Izraeli e ka kritikuar ashpër këtë marrëveshje, duke dyshuar në qëllimet e mira të Iranit. Sipas Tel Avivit, kjo taktikë e Teheranit synon vetëm të “blejë kohë”, për të mundësuar ndërkimin e armës bërthamore në prapaskenë.

Top Channel