Konferenca e sigurisë në Mynih

02/02/2014 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, është ndalur te problemi i korrupsionit, me të cilin përballen vende të Europës Juglindore e Qendrore.

Në konferencën e sigurisë në Mynih, ai tha se fakt është që vërejmë një prirje shqetësuese në shumë vende të Europës Qendrore dhe Lindore, si dhe në Ballkan.

“Aspiratat e qytetarëve të këtyre vendeve po shtypen nën barrën e korrupsionit, interesave oligarke, interesave që përdorin paranë për të shtypur kundërshtarët politikë, për të blerë politikanët dhe grupet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit, si dhe të drejtat e organizatave joqeveritare”, citon zotin Kerry, Zëri i Amerikës.

Sekretari i Shtetit u ndal edhe te gjendja në Ukrainë.

“Megjithëse ka elementë shqetësues dhe një situatë kaotike në rrugët e Kievit, pjesa më e madhe e ukrainasve duan të jetojnë të lirë, në një mjedis të sigurt, në një vend të begatë, dhe po luftojnë për të drejtën për të bashkëpunuar me partnerë, që do t’i ndihmojnë të përmbushin aspiratat e tyre. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian qëndrojnë përkrah popullit të Ukrainës në këtë betejë”, është shprehur Kerry.

Konferenca e Mynihut për Sigurinë është një aktivitet vjetor, ku diskutohen sfidat e sigurisë dhe bashkëpunimi SHBA-Europë, për ballafaqimin me problemet aktuale.

Siguria e Europës dhe bashkëpunimi në përgjigje të sfidave globale ishin ndër temat kryesore, ku u ndal të shtunën Sekretari i Shtetit John Kerry, gjatë fjalës së tij në konferencë.

Ndërkohë, në fjalën e tij, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, ritheksoi planin e administratës Obama për të zhvendosur fokusin e politikës së jashtme nga veprimet ushtarake te diplomacia.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara lanë pas një eksperiencë 13-vjeçare të luftës dhe se e kanë të qartë se e ardhmja kërkon një epokë të re, ku duhet të forcohen lidhjet dhe fqinjësitë me miqtë dhe aleatët, veçanërisht me vendet në Europë.

Kundërshtarët ukrainas përballen në Mynih

Klitschko dhe Kozhara replikojnë me njëri-tjetrin

Ministri i Jashtëm ukrainas, Leonid Kozhara dhe Vitaly Klitschko, njëri prej udhëheqësve të opozitës u përballën me njëri-tjetrin në Samitin e Sigurisë në Mynih, ndërkohë që në Kiev vazhdojnë protestat.

Dy politikanët e lartë ukrainas u vunë përballë njëri-tjetrit në një diskutim në kuadër të samitit. Në diskutim e sipër, ish-kampioni i botës i shndërruar në politikan i tregoi kundërshtarit të tij disa plagë në trup të shkaktuara nga dhuna policore gjatë protestave.

Ndërkohë, nga ana e tij Ministri i Jashtëm ukrainas tha se në radhët e opozitës kishte elementë të së djathtës ekstreme.

Ish-republika sovjetike është përfshirë nga trazirat që prej muajit nëntor kur presidenti filo-rus, Viktor Yanukovich refuzoi një marrëveshje të rëndësishme ekonomike me Bashkimin Europian në këmbëim të një dorëzanie ruse.

“Populli ukrainas tregoi dhe po provon se është i aftë të mbrojë vendimin e vet për t’iu bashkuar Europë, pavarësisht masave të dhunshme të autoriteteve”, tha ndër të tjera Vitaly Klitschko.

Të shtunën Perëndimi dhe Rusia u përfshinë në një përballje të ashpër për Ukrainën. BE dhe SHBA dolën në mbështetje të protestave ndërsa Moska i akuzoi për standarde të dyfishta.

“Oferta jonë është në tavolinë dhe ne e dimë që koha punon për ne. E ardhmja e Ukrainës është Bashkimi Europian”, tha presidenti i BE-së, Van Rompuy.

“Shpresat e njerëzve të thjeshtë po shtypen nga korrupsioni, interesat oligarke që përdorin paratë për të shtypur opozitën, për të blerë politikanët dhe median dhe për të vënë nën kontroll sistemin e drejtësisë. Tani e përgjithmonë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian qëndrojnë në krah të ukrainasve në luftën e tyre për demokraci”, u shpreh Sekretari i Shtetit, John Kerry.

“Ç’lidhje ka nxitja e dhunës në rrugë dhe sheshe me demokracinë? Pse nuk dëgjojmë dënimin e atyre që uzurpojnë ndërtesat qeveritare, sulmojnë policinë dhe përdorin thirrje raciste, anti-semite dhe naziste? Pse shumë politikanë të BE-së sot po i inkurajojnë këto protesta, këto thirrje megjithëse në shtëpitë e tyre dënojnë shpejt dhe ashpër këdo që thyen ligjet?”, u kundërpërgjigj Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax publikoi retorikën më të ashpër mes Uashingtonit dhe Moskës në këtë samit. Sipas saj, Sekretari Amerikan i Shtetit deklaroi se ‘Ukraina duhet të zgjedhë, o në krah të gjithë botës, o në krah të një vendi të vetëm’, deklaratë që ka marrë reagimin e Lavrov.

“Me gjithë përvojën e tij, Kerry ishte personi i fundit që prisja që nga goja e tij të dilte një propagandë e tillë”, citohet Lavrov.

Ndërsa në Uashington Shtëpia e Bardhe konfirmoi se po shqyrton mundësinë e sanksioneve ndaj Kievit, udhëheqësit e opozitës ukrainase ndodhen në Mynih për të kërkuar mbështetje më të fuqishme të perëndimit në betejën e tyre kundër presidentit Yanukovich.

Njëri prej udhëheqësve opozitarë, Arseniy Yatsenyuk tha se ajo që i nevojitet Ukrainës është një “plan Marshall dhe jo një ligj ushtarak”.

Top Channel