Ukraina rikthen “Luftën e Ftohtë”

01/02/2014 00:00

Ashtu sic pritej, e ardhmja e Ukrainës ishte ndasia e madhe mes perëndimit dhe Rusisë në Samitin e Sigurisë që po zhvillohet në Mynih të Gjermanisë.

Presidenti i Bashkimit Europian, Herman Van Rompuy tha se “e ardhmja e Ukrainës është vetëm Bashkimi Europian”, ndërsa Sekretari i Shtetit, John Kerry tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin “përpjekjet e popullit ukrainas për demokraci”.

Përballë qëndrimit të unifikuar të Uashingtonit dhe Brukselit qëndronte Moska. Ministri i Jashtëm rus hodhi akuza të forta ndaj tyre. Për Rusinë, si BE dhe SHBA përdorin standarde të dyfishta kur vjen puna në mbrojtje apo në kundërshtim të protestave.

“Oferta jonë është në tavolinë dhe ne e dimë që koha punon për ne. E ardhmja e Ukrainës është Bashkimi Europian”, tha presidenti i BE-së, Van Rompuy.

“Shpresat e njerëzve të thjeshtë po shtypen nga korrupsioni, interesat oligarke që përdorin paratë për të shtypur opozitën, për të blerë politikanët dhe median dhe për të vënë nën kontroll sistemin e drejtësisë. Tani e përgjithmonë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian qëndrojnë në krah të ukrainasve në luftën e tyre për demokraci”, u shpreh Sekretari i Shtetit, John Kerry.

“Ç’lidhje ka nxitja e dhunës në rrugë dhe sheshe me demokracinë? Pse nuk dëgjojmë dënimin e atyre që uzurpojnë ndërtesat qeveritare, sulmojnë policinë dhe përdorin thirrje raciste, anti-semite dhe naziste? Pse shumë politikanë të BE-së sot po i inkurajojnë këto protesta, këto thirrje megjithëse në shtëpitë e tyre dënojnë shpejt dhe ashpër këdo që thyen ligjet?”, u kundërpërgjigj Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax publikoi retorikën më të ashpër mes Uashingtonit dhe Moskës në këtë samit. Sipas saj, Sekretari Amerikan i Shtetit deklaroi se ‘Ukraina duhet të zgjedhë, o në krah të gjithë botës, o në krah të një vendi të vetëm’, deklaratë që ka marrë reagimin e Lavrov.

“Me gjithë përvojën e tij, Kerry ishte personi i fundit që prisja që nga goja e tij të dilte një propagandë e tillë”, citohet Lavrov.

Ndërsa në Uashington Shtëpia e Bardhe konfirmoi se po shqyrton mundësinë e sanksioneve ndaj Kievit, udhëheqësit e opozitës ukrainase ndodhen në Mynih për të kërkuar mbështetje më të fuqishme të perëndimit në betejën e tyre kundër presidentit Yanukovich.

Njëri prej udhëheqësve opozitarë, Arseniy Yatsenyuk tha se ajo që i nevojitet Ukrainës është një “plan Marshall dhe jo një ligj ushtarak”. Yatsenyuk, së bashku me kreun tjetër opozitar, ish-kampionin e botës në boks, Vitaly Klitschko ndodhet në Mynih ku janë takuar me diplomatë ndërkombëtarë në prag të Konferencës së Sigurisë.

Ukraina përballet me trazira që prej muajit nëntor, kur presidenti i vendit, Viktor Yanukovich refuzoi firmosjen e tregtisë së lirë me Bashkimin Europian. Opozita fajësoi për këtë presionin rus, që detyroi Yanukovich pak ditë më vonë të firmoste një sërë marrëveshjes ekonomike me Kremlinin.

Protestat nisën në Kiev. Sheshi i Pavarësisë u shndërrua në një kamp të manifestuesve, ndërsa disa herë ata kanë pushtuar godinat qeveritare. Në janar, qeveria propozoi një ligj anti-protesta i kritikuar nga ndërkombëtarët si shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.

Propozimi i qeverisë acaroi më shumë situatën. Protestat u shtrinë edhe në qytetet e tjera të vendit. E venë përballë një presioni të tillë, qeveria e kryeministrit Azarov dha dorëheqjen. Por as ky hap nuk uli valën e protestave. Protestuesit kërkojnë ‘kokën’ e Yanukovich, ndërsa opozita bën thirrje për zgjedhje të parakohëshme.

Të paktën 8 persona mendohet se kanë humbur jetën nga përleshjet mes protestuesve dhe forcave të sigurisë. Këto të fundit janë vënë në qendër të kritikave për torturë, ku nuk i kanë shpëtuar as emra të njohur opozitarë, gazetarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta