
Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar me sekretarin e NATO-s Anders Fogh Rasmussen dhe ministrin e Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Thaçi bën me dije: “Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, pata një takim të frytshëm me sekretarin e NATO-s Anders Fogh Rasmussen dhe ministrin e Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier. Bisedat u përqëndruan në progresin e arritur në Kosovë, konsolidimin e subjektivitetit ndërkombtar, perspektivën euroatlantike të Kosovës”.
Kryeministri Thaçi thotë gjithashtu se është takuar edhe me nënkryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan, Eliot Engel. Engel së fundi është bërë i njohur edhe për angazhimin
e tij për njohjen e Kosovës në rrjetin social Facebook.
“E falënderova që së bashku me kongresmenë demokratë dhe republikanë më kanë bërë nder me nominim për çmimin Nobel. Biseduam edhe për të ardhmen e Kosovës në arkitekturën e sigurisë euroatlantike”, shkruan më tej Thaçi.
Konferenca e Sigurisë sivjet feston 50-vjetorin dhe kryeministri Thaçi është njëri nga panelistët, krahas presidentëve, kryeministrave të shteteve aleate, si dhe personaliteteve të tjera globale nga fusha e biznesit, medias dhe shoqërisë civile.
Top Channel