
Të paktën gjashtë persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri në kryeqytetin tajlandez, Bangkok, në përleshjet mes protestuesve pro dhe anti-qeveritarë, në prag të zgjedhjeve të së dielës.
Dhuna shpërtheu gjatë një përballjeje mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të kryeministres Yingluck Shinawatra. Tre të shtëna u qëlluan teksa demonstruesit bllokuan një ndërtesë kur mbahen fletët e votimit, në përpjekje për të penguar shpërndarjen e tyre.
Protestuesit duan që qeveria të zëvendësohet nga një “këshill popullor” i pazgjedhur. Opozita ndërkohë ka bërë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve të së dielës, që ka gjasa të fitohen nga zonja Shinawatra.
Demonstruesit e akuzojnë atë se vepron nën urdhërat e vëllait të saj, Thaksin Shinawatra, që u rrëzua nga pushteti vite më parë dhe tani jeton në mërgim.
Të shtënat e verifikuara ditën e shtunë ndodhën në lagjen Laksi të Bangkokut, një bastion i partisë së kryeministres, Pheu Thai. Shumë plumba të qëlluar bënë rikoshet në ndërtesa, duke plagosur njerëz nga të dyja palët, raporton i dërguari i BBC në Bangkok, Jonathan Head.
Një numër personash u shtrinë në tokë për t’u shpëtuar të shtënave, të cilat kanë vazhduar dhe kanë detyruar gazetarët dhe kalimtarët e rastit që të largohen. Një person thuhet se ka mbetur i plagosur seriozisht pasi është qëlluar në qafë.
Ende nuk dihet se kush ka qenë përgjegjës për të shtënat dhe është po ashtu e paqartë nëse të plagosurit janë nga mbështetësit apo kundërshtarët e qeverisë.
Top Channel