SHBA, raporti për ‘Keystone’, s’ka impakt mjedisor

01/02/2014 00:00

Një raport mjedisor i Departamentit të Shtetit, i pritur prej kohësh, sa i përket naftësjellësit “Keystone XL”, tregon atë që industria e naftës dhe mbështetësit e saj kanë thënë gjithnjë, se ai nuk do të ketë impakt të ndjeshëm në emetimin e karbonit, që do të shkaktonte ndryshime klimatike.

Raporti i publikuar të premten duket se i jep administratës Obama mbështetjen që kërkonin për të aprovuar projektin e akuzuar nga politika, por jo më herët se sa Maji i këtij viti, pas një periudhe 90-ditore rishikimi dhe komentimi.

Ambientalistët kanë reaguar me një irritim të parashikueshëm, duke akuzuar qeverinë për dashakeqësi duke publikuar raportin përpara kërkimeve të një inspektori të përgjithshëm, në lidhje me të metat e këtij projekti, për shkak se disa pjesëmarrës kanë lidhje me industrinë e naftës.

“Ky dokument do të rishihet nga i gjithë komuniteti mjedisor si një falsitet”, u ankua demokrati Raul Grijalva i Arizonës, duke shtuar se “ai inkurajon përshtypjen e krijuar prej kohësh, se rezultati ka qenë caktuar prej fillimit”.

Mbështetësit, përfshi edhe liderët republikanë, të cilët kanë bërë thirrje prej 2 vitesh që presidenti Barack Obama ta miratojë projektin, thanë se tashmë ka ardhur koha për të filluar nga puna.

“Zoti president, nuk ka më pengesa, nuk ka më justifikime”, tha lideri republikan i Senatit, Mitch McConnell, i Kentucky-t, duke i dhënë një shtysë angazhimit të fundit të Obama-s, për të vepruar sipas vullnetit të tij këtë vit, nëse nuk do të siguronte mbështetjen e Kongresit. “Ju lutem, merreni përgjegjësinë, për të cilën keni folur kaq shumë së fundi, dhe bëni që kjo gjë të ndodhë. Amerikanët kanë nevojë për këto vende pune”.

Naftësjellësi, i cili do të transportojë naftë nga Kanadaja për në Bregdetin e Gjirit (Nebraska), ka rënë prè e një loje politike, duke i vendosur industrinë e naftës dhe mbështetësit republikanë kundër ambientalistëve dhe liberal-demokratëve, të cilët ankohen se ai rrit në veçanti prodhimin e naftës nga fosilet e pista, nga rërat e katranit në Alberta-s veriore. Projekti ka nxitur gjithashtu protesta nga e majta politike dhe lëvizjet ambientaliste.

Gjithsesi, politika po pëson goditje për demokratët, sepse edhe sindikatat e punësimit mbështesin projektin, i cili do të krijojë disa mijëra vende pune.

Publikimi i raportit nis kështu një periudhë 90-ditore për komente publike dhe konsultime. Sekretari i Shtetit, John Kerry, i cili njihet për përpjekjet e tij në betejën kundër ndryshimeve klimatike, do të përcaktojë më pas nëse projekti i naftësjellësit do të jetë në interesin kombëtar.

Top Channel