Kerry-Merkel, takim pas përgjimeve

01/02/2014 00:00

Në Berlin, shefi i diplomacisë amerikane John Kerry pati një takim me kancelaren Angela Merkel përpara punimeve të konferencës së Mynihut, të fokusuar mbi të gjitha tek çështja e përgjimeve, shkak e krisjes së kohëve të fundit në marrëdhëniet amerikano-gjermane.

Merkel e bëri të qartë se nuk dyshon në rëndësinë e këtij partneriteti dhe Kerry la të kuptohet se preferon të shohë drejt së ardhmes. Edhe pse e pranoi se ka pasur disa pengesa në marrëdhëniet bilaterale, Kerry e vuri theksin tek dominimi i vlerave të përbashkëta të krijuara në disa dhjetëvjeçarë.

“Aleanca amerikano-gjermane është motori shtytës i partneritetit trans-atlantik. Ne duam që ky të jetë viti i ripërtëritjes së relatave mes dy vendeve tona. Ndonjëherë rruga nuk është edhe aq e sheshte, por ne kemi një vizion të gërshetuar me mirëkuptimin mbi një seri vlerash që na bashkojnë prej shumë kohësh tashmë”, deklaroi Kerry.

“Në linja të përgjithshme dua të nënvizoj edhe një herë se partneriteti ynë ka rëndësi të jashtëzakonshme për Gjermaninë. Një gjë e tillë nuk mund të vihet në diskutim, pavarësisht dallimit të qëndrimeve mbi disa çështje të caktuara”, tha Merkel nga ana tjetër.

Kerry e përdori daljen para mediave për t’i drejtuar edhe një paralajmërim të qartë presidentit sirian, Bashar al-Assad. Udhëheqja e Damaskut nuk po i largon armët kimike nga vendi aq shpejt sa ç’premtoi, tha kryediplomati amerikan.

Ai kujtoi edhe rezolutën e Këshillit të Sigurimit dhe kapitullin VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara, sipas të cilës në rastin e një kërcënimi të paqes botërore parashihen sanksione deri në ndërhyrje ushtarake.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA