Egjipt, sulme ajrore në Sinai

01/02/2014 00:00

Ushtria egjiptiane ka bërë të ditur se 13 militantë janë vrarë në një sulm ajror që kishte për objektiv një grup të inspiruar nga al-Qaeda, në gadishullin verior të Sinait.

Sulmi erdhi disa ditë pasi grupi islamik, Ansar Bayt al-Maqdis, njoftoi se kishte rrëzuar një helikopter ushtarak në zonën e tyre.

Militantët në Sinain verior kanë intensifikuar sulmet, që prej rrëzimit të presidentit egjiptian, Mohammed Morsi. Ndërkohë, Izraeli deklaroi se sistemi anti-raketë “Iron Dome” (Kupole Hekuri) ka kapur një raketë të lëshuar në qytetin Eilat, një qytet turistik në kufi me Egjiptin.

Ansar Bayt al-Maqdis (kampionët e Jerusalemit) ka marrë përsipër një seri sulmesh me bomba e armë kundër forcave të armatosura dhe policisë, në shenjë hakmarrjeje për rrëzimin e Morsi-t gjatë Korrikut të vitit të kaluar, përfshi edhe sulmin me bombë në selinë e policisë në Kajro, të premten e kaluar.

Ata thonë gjithashtu se kanë qëlluar dhe rrëzuar një helikopter të ushtrisë egjiptiane pranë kufirit me Rripin e Gazës, në veri të Sinait, fundjavën e kaluar, duke vrarë të 5 anëtarët e tij të ekuipazhit.

Zyrtarët ushtarakë thanë se Forcat Ajrore të Egjiptit kanë nisur një seri sulmesh ndaj militantëve në qytetin el-Arish, në veri të Sinait, ditën e premte. Ata kanë shënjestruar shtëpi, dyqane, mjete dhe disa pika të tjera grumbullimi njerëzish.

Numri i njerëzve të vrarë nuk mund të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë gjithashtu se sistemi i mbrojtjes nga raketat “Iron Dome” ka kapur një raketë të hedhur mbi qytetin e Eilat, në kufi me Sinain, mbrëmjen e së premtes. Megjithatë, nuk ka raportime për të plagosur. Kjo është hera e dytë që rezorti pranë Detit të Kuq goditet gjatë këtij muaji, sipas medias lokale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA