“Të rritet punësimi i të papunëve afatgjatë”

31/01/2014 00:00

Shtëpia e Bardhë ka siguruar angazhimin e disa prej kompanive më të mëdha të vendit, për një plan për të rritur punësimin e të papunëve afatgjatë.

“Ajo që kemi bërë është mbledhja së bashku e 300 kompanive, si për fillim, përfshi këtu disa prej 50 kompanive më të mëdha në vend, si për shembull Ëalmart, Apple, Ford, etj., për t’i nxitur të fillojnë me praktikat më të mira”, tha presidenti Barack Obama për CNN, në një intervistë ekskluzive.

“Për shkak se ata janë të papunë prej një kohe të gjatë, njerëzit janë në kërkim të eliminimit të këtyre hapësirave në CV-të e tyre, përpara se njerëzit të fitojnë qoftë edhe një shans për një intervistë”, tha Obama.

Teksa ekonomia po rikuperohet me ngadalësi nga recesioni, numri i punëtorëve që nuk kanë gjetur ende një punë, për të paktën 6 muajt e fundit, është rritur së tepërmi.

“Mos i përjashtoni njerëzit nga procesi i rekrutimit, vetëm për shkak se ata kanë qenë të papunë për një kohë të gjatë”, tha presidenti. Kreu i Shtëpisë së Bardhë do të bëjë shpalljen formale ditën e premte.

Lëvizja vjen menjëherë pas fjalimit të tij, në atë që njihet si “State of the Union”, ku Obama premtoi të ndërmerrte veprime ekzekutive në ato iniciativa, të cilat nuk kanë nevojë për miratimin e Kongresit më parë.

Presidenti propozoi në 2011-n, që Kongresi të ndalojë diskriminimin bazuar mbi papunësinë në kompanitë me më shumë se 15 punonjës. Projektligjet janë prezantuar në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve, por shumë pak progres është bërë prej atëherë.

“A do të mund të kemi më shumë impakt, nëse do të bindim Kongresin, për shembull, të kalojë ligjin për pagën minimale që aplikohet ndaj kujtdo, se sa ta bëj unë vet përmes një urdhri ekzekutiv, për t’u siguruar se njerëzit që janë kontraktuar nga qeveria federale të marrin një pagë minimale? Absolutisht”, u shpreh Obama.

Të martë, ai premtoi që do të ndërmerrte masa për rritjen e pagës minimale për punonjësit e kontraktuar nga qeveria federale në 10,10 dollarë për orë. Norma e papunësisë në vend ka rënë në 6,7% në Dhjetor, por rënia erdhi kryesisht nga largimi i punëtorëve nga ajo që konsiderohet si forcë e punës.

Rreth 4 milionë njerëz konsiderohen si të papunë prej një kohe të gjatë, e bëhet fjalë për ata që nuk kanë mundur të gjejnë një punë prej 27 javësh ose më tepër. Përpjekjet e mbështetura nga Obama për të zgjeruar një program federal, që u jep benefite të papunëve të këtij grupi, nuk u miratua nga Kongresi këtë muaj.

Obama shtoi se administrata e tij do të vazhdojë të kërkojë mbështetjen e Dhomës dhe Senatit, sa i përket iniciativave kryesore. “Por, nuk do të rri të pres kur t’u teket atyre”, shtoi presidenti.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta