Pasi nuk e kryen reformën zgjedhore për gati tri vjet, deputetët e Kuvendit të Kosovës duket se do ta bëjnë këtë brenda pak muajsh. Ish-kryetari i komisionit ad hoc për reformën, Haki Demolli nuk ka pasur çfarë të prezantojë para deputeteve në seancën parlamentare e caktuar për të diskutuar raportin e punës së këtij komisioni.

Kështu, me pajtueshmërinë e subjekteve politike puna për ndryshimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme i kaloi komisionit për legjislacion. Por pavarësisht këtij nxitimi, janë deputetet e shumicës të cilët kërkojnë që zgjedhjet të mbahen në afat të rregullt zgjedhor dhe jo para kohe.

“Të arrihet konsensusi në Parlament dhe në nivelin e liderëve rreth reformës zgjedhore ky konsensus të jetë sa më i madh. Pastaj, insistojmë që gjatë muajit shkurt të finalizohet projektligji për ndryshim-plotësimin e ligjit për zgjedhje nacionale. Po ashtu, edhe pse nuk është e caktuar me dispozitë kushtetuese, ka një standard elektoral evropian i Venecias që korniza ligjore duhet të jetë e përfunduar gjashtë muaj para se të shkohet në zgjedhje”, deklaroi Arsim Bajrami, deputet i PDK-së.

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi akuzoi komsionin ad hoc se nuk e ka kryer punën e vet. Siç tha Krasniqi, komisioni është dashur të gjejë burimin e defektit të zgjedhjeve të kaluara dhe kjo nuk është bërë. Ai shtoi se është i gatshëm për zgjedhje të jashtëzakonshme dhe nuk i intereson nëse dikush ka frikë të kërkojë sërish votën e popullit.

“Problemi nuk është te ligji, por ata që janë të pandërgjegjshëm të cilët me qëllim dhe në mënyrë të organizuar keqpërdorin votën e qytetarit. Këtu nuk është mbrojtur as vota e kandidatit dhe as vota e qytetarit. Por, unë nuk besoj që ky Kuvend ka kapacitete që ta bëjë reformën në afatin e duhur dhe në afatin që i duhet Kosovës”, deklaroi Krasniqi.

Deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti kujtoi se ideja për reformë zgjedhore ka qenë detyrim i kohës, i ardhur për shkak të manipulimit të zgjedhjeve. Hamiti fajësoi komisionin për ndryshimin e ligjit, por edhe atë për zgjedhjen e presidentit nga populli i cili siç duket është harruar.

“Ju jeni kundër reformës dhe jeni që ajo të mbetet ashtu siç është. Një njësi zgjedhore është kushtetuese, listat e hapura është kushtetuese, pra nuk kemi prekur asgjë këtu”, tha Hamiti.

Komisioni ad hoc për reformën zgjedhore ishte themeluar më 22 prill të vitit 2011, pas marrëveshjes ndërmjet Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit, për të tejkaluar krizën politike në zgjedhjen e presidentit. Komisioni nuk e përfundoi punën deri më 22 prill të 2012-s, kur edhe i skadoi afati i caktuar nga Kuvendi i Kosovës.

Rrjedhimisht reforma zgejdhore diskutohej në takimet e liderëve jashtë institucioneve të kosovës pjesë e të cilave nuk ishte lëvizja Vetëvendosje. Kjo e fundit ishte edhe sot kritike jo vetëm ndaj punës së komisionit por edhe ndaj LDK-së, e cila me marrëveshjen e arritur e zgjati funksionimin e qeverisë së kryeministrit Thaçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA