Studentët vazhdojnë të këmbëngulin në kërkesat e tyre. Në ditën e tretë të protestës kundër Rektorit Ibrahim Gashi, u zhvillua një aksion simbolik në shtatoren e Hasan Prishtinës, emrin e të cilit mban Universiteti i Prishtinës.

Protestuesit i vendosën një parullë me shkrimin “Unë shkriva pasurinë për arsimin, ndërsa ju po shkrini arsimin për pasurinë!”.

Dhjetra studentëve nga organizatat studentore “Studim, Kritikë, Veprim” dhe “Klubi Politik i Studentëve”, iu bashkangjitën edhe studentë e qytetarë të tjerë. Ndër ta, edhe kjo familje e kryeqytetit, e cila solli çaj për të gjithë protestuesit.

Protestës i janë bashkuar edhe qytetarë si ky i moshuar nga një fshat i Deçanit.

Ndërkohë, zyra për informim e UP-së konfirmon me anë të telefonit, se puna në këtë institucion po vazhdon konform rregullave në fuqi, ashtu siç e përshkruan statuti në UP.

“Po punojmë nëpër zyrat e universitetit, pavarësisht pengesave që po i bëhen stafit tonë në Rektorat”, shkruan në përgjigjen e tij me mesazh, përfaqësuesi i zyrës për informim, Labinot Hajdari. Lidhur me skandalet e fundit në UP, të enjten u diskutua edhe gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës.

“Deri te kjo gjendje është ardhur, si pasojë e mungesës së një debati të mirëfilltë në Universitetin e Prishtinës. Ai tha se grupi parlamentar i PDK është për një punë transparente në të gjitha institucionet e arsimit, për të vlerësuar të gjitha diplomat e doktoratës dhe titujt e fituar, sidomos në kohën e pasluftës”, tha Ramë Vataj, deputet i PDK.

Ndërsa Ardian Gjini, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kritikoi Rektorin.

“Nëse Rektori Gashi nuk jep dorëheqjen, Universiteti i Prishtinës do të shkatërrohet thuajse përfundimisht. Vet fakti, që po ndodh ky debat; vet fakti, që ka botuar punime në revista akademike, që praktikisht janë false, e bën tepër problematik qëndrimin e Rektorit në Universitet, tepër problematik mendoj, se ekziston hezitimi për të dhënë dorëheqjen”, tha Ardian Gjini, deputet i AAK.

Ndërkohë, studentët kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë, deri në dorëheqjen e Rektorit, i cili një ditë më herët mohoi një mundësi të tillë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta