NSA do të ketë drejtues të ri

31/01/2014 00:00

Agjencia amerikane e Sigurisë Kombëtare, së shpejti do të ketë një drejtues të ri. Presidenti Barack Obama ka emëruar zv/admiralin e Marinës, Michael Rogers, shef të ri të këtij shërbimi dhe i ka ngarkuar 53-vjeçarit edhe detyrën të kryesojë njësinë e posaçme për strategjinë e luftës dixhitale.

Sipas mediave vendase, arsyeja e ndryshimin të kreut të NSA-së nuk është skandali i përgjimeve, por dalja së shpejti në pension e shefit të deritanishëm, Keith Alexander.

Rogers do të marrë postin në Mars dhe, ashtu si paraardhësi i tij në detyrë, do të drejtojë edhe “Cyber Command”, pozicion të cilin deri më tani e ka pasur për Marinën. Emërimit të tij i nevojitet edhe drita jeshile e Senatit.

NSA-ja është vënë në qendër të kritikave, që nga momenti kur ish-punonjësi i saj, Edward Snowden, nisi të bënte publike dokumente të brendshme të shërbimit sekret, Qershorin e vitit të kaluar.

Të dhënat e nxjerra prej tij janë dëshmi e faktit, që autoritetet amerikane të zbulimit kanë mbledhur informacione mbi miliona telefonata në mbarë botën, kanë lexuar komunikimet në postën elektronike dhe kanë përgjuar politikanë të lartë, siç ishte rasti i Kancelares gjermane, Angela Merkel.

Por, pavarësisht indinjatës së fortë, që shkaktuan tek aleatët njoftimet e përgjimeve, nuk pritet që Rogers të ndërmarrë ndryshime rrënjësore të menjëhershme në radhët e agjencisë.

Presidenti Obama iu përgjigj valës së reagimeve, brenda dhe jashtë vendit, me rishqyrtimin e punës së shërbimeve sekrete. Një komision i pavarur paraqiti në Dhjetor më shumë se 40 propozime për reforma, të cilat shefi i Shtëpisë së Bardhë do t’i zbatojë vetëm pjesërisht.

SHBA, kreu i ri i NSA-së

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, do të emërojë së shpejti zëvendësadmiralin Micheal Rogers si shefin e ri të agjensisë që mbikqyr spiunazhin elektronik në vend, informoi të premten Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel.

Rogers do të zëvendësojë në krye të Agjensisë Kombëtare të Sigurisë (National Security Agency, NSA) gjeneralin Keith Alexander.

NSA u vendos në qendër të vëmendjes publike gjatë 2013-s për shkak të denoncimit që ish-punonjësit Edward Snowden i bëri aktivitetit të agjensisë.

Për shkak të përgjimeve të paligjshme, që përfshinë edhe disa krerë shtetesh, NSA është përballur gjatë muajve të fundit me kritika dhe një presion politik e publik në rritje, ndaj gjykohet se Rogers merr drejtimin në një moment kritik për insituticionin.

Snowden, ish-kontraktori i NSA-së dhe CIA-s, njeriu që zbuloi skandalin e përmasave ndërkombëtare, jeton aktualisht në Rusi nën mbrojtjen e strehimit politik.

Ndonëse ai është në kërkim ndërkombëtar nga SHBA, ku akuzohet për spiunazh, gjatë së enjtes 30-vjeçari u propozua zyrtarisht si kandidat për Nobelin e Paqes nga dy politikanë norvegjezë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA