Konferenca e Sigurisë në Gjermani

31/01/2014 00:00

Vatrat e krizës, si Siria apo edhe më e fundit e tyre, Ukraina, do të përbëjnë boshtin e diskutimeve të kryetarëve të shteteve dhe qeverive, në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Shefi i diplomacisë amerikane, John Kerry, do të shfrytëzojë pikërisht këtë rast për t’u takuar me dy liderë opozitarë ukrainas, Vitali Klitschko dhe Arseniy Yatsenyuk.

Situata në vend nuk po njeh qetësim, edhe pas nënshkrimit të dekretit për shfuqizimin e legjislacionit kundër protestave nga presidenti Viktor Yanukovych.

Sipas kreut të shtetit ukrainas, krizën po e përshkallëzojnë kundërshtarët politikë, ndërsa qeveria i ka plotësuar detyrimet e saj për t’i dhënë fund ngërçit, përfshirë këtu dhe aministinë e kushtëzuar për protestuesit e arrestuar gjatë trazirave.

Demonstruesit insistojnë se reformat nuk janë të mjaftueshme dhe ngrenë dyshime mbi tërheqjen e Yanukovych nga skena këto ditë për arsye shëndetësore, me argumentin se presidenti pro-rus në fakt po përpiqet të fitojë kohë.

“Çështja është se nuk ka ligje që ta ndihmojnë, njerëzit kërkojnë dorëheqjen e tij dhe do të qëndrojmë këtu në rrugë, në mes të ngricës, deri sa ta shohim të largohet”, tha një protestues.

“Presidenti bëri disa lëshime, por nuk janë të mjaftueshme. Ai duhet të lëshojë poltronën presidenciale, këtë kërkojmë prej tij”, shtoi një tjetër protestues.

Protestuesit kanë shprehur gjithashtu zemërim, pasi aktivisti i opozitës Dmytro Bulatov, i zhdukur që prej datës 22 Janar, u gjet dje pranë Kievit me plagë në kokë. Ai tregoi se ishte rrëmbyer nga persona të panjohur dhe ishte mbajtur prej tyre për ditë me radhë, para se të braktisej në një pyll.

Ministria vendase e Mbrojtjes publikoi më herët një deklaratë, ku citon zyrtarë ushtarakë që kritikojnë veprimet e presidentit Yanukovych, duke i bërë thirrje të marrë “masa të menjëhershme” për stabilizimin e situatës në vend.

Shtetet e Bashkuara, sakaq, po vazhdojnë trysninë ndaj Yanukovych dhe qeverisë së tij dhe, sipas zëdhënëses së DASH, Jennifer Psaki, administrata amerikane dhe Kongresi po konsultohen për mundësinë e sanksioneve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA