Kanadaja përgjonte udhëtarët

31/01/2014 00:00

Agjencia kanadeze e spiunazhit elektronik, CSEC, mblodhi të dhëna nga udhëtarët që kalonin nëpër aeroportet e mëdha të vendit, ka raportuar të premten rrjeti televiziv kanadez CBC.

CSEC mblodhi informacione të kapura nga aparatet elektronike të pasagjerëve përmes sistemit wi-fi në një periudhë kohore prej dy javësh.

Informacioni edhe këtë radhë ka ardhur nga ish-kontraktori amerikan Edward Snowden, raporton CBC. CSEC është e ndaluar me ligj të përgjojë kanadezë apo këdo tjetër në Kanada pa një mandat të posaçëm.

Misioni i saj kryesor është të mbledhë informacione nga jashtë duke përgjuar telefonat e huaj dhe trafikun e internetit.

Në një deklaratë të sajën dërguar televizionit CBC, Communications Security Estabilishment Canada sqaroi se “ka autoritet për të mbledhur informacione të huaja për të mbrojtur Kanadanë dhe kanadezët”.

“Dhe në mënyrë që të plotësojë misionin e saj, agjencia është ligjërisht e autorizuar për të mbledhur dhe analizuar metadata”, thuhet në deklaratë.

Metadata është informacioni mbi komunikimin, si për shembull data dhe vendi i telefonatës apo një email-i, dhe jo detajet se çfarë është thënë apo shkruar.

Dokumenti i publikuar tregon se operacioni i përgjimit të pasagjerëve në vitin 2012 është bërë përmes një programi të ri të zhvilluar bashkarisht me Agjencinë amerikane të Sigurisë Kombëtare, NSA, tregon më tej CBC.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA