Siria, Brahimi: Asgjë thelbësore në raundin e parë

30/01/2014 00:00

Ndërmjetësi i OKB-së, Lakhdar Brahimi, deklaroi se nuk pret që të arrihet “diçka thelbësore” në raundin e parë të bisedimeve për Sirinë, përpara se ato të përfundojnë ditën e premte. Ai tha se nuk ndihej “i zhgënjyer” për këtë dhe se “akujt po thyhen me ngadalësi”.

Ai shtoi gjithashtu se OKB dhe qeveria siriane janë ende duke negociuar për aksesin e një autokolone me ndihma humanitare në qytetin e pushtuar të Homsit. Veçmas, të mërkurën, shefi amerikan i spiunazhit, James Clapper, paralajmëroi për rritjen e numrit të luftëtarëve të huaj në Siri.

Ai tha se grupi militant sirian i lidhur me al-Qaeda-n, Fronti al-Nusra, kërkon të sulmojë SHBA-të ndaj dhe po stërvit një numër gjithnjë e më të madh luftëtarësh nga Europa, Lindja e Mesme, madje edhe vet Amerika.

“Siria është bërë një magnet i fuqishëm për ekstremistët”, tha ai në Komitetin për Inteligjencën në Senat. Ai shtoi se përllogariten rreth 26 mijë luftëtarë, që konsiderohen “ekstremistë”, të cilët operojnë në Siri, ndërkohë që forcat opozitare në total kapin shifrat e 75 mijë deri në 110 mijë luftëtarë.

Konflikti ka tërhequr përafërsisht 7 mijë vullnetarë të huaj nga rreth 50 vende, tha ai. Clapper shtoi se prezenca e tyre në Siri është një “shqetësim i tmerrshëm” për SHBA-të dhe aleatët tanë, veçanërisht për qeveritë e vendeve europiane, të cilët janë të frikësuar se luftëtarët e huaj do të rikthehen në shtëpi e do të ndërmarrin sulme.

Ndihmat humanitare të OKB, jashtë rrethimit të Homsit

Një autokolonë e OKB-së, që transportonte ushqim për njerëzit e qytetit të vjetër sirian, Homs, është duke pritur për të siguruar lejen e kalimit brenda rrethimit qeveritar, teksa rezidentët luten që qeveria t’i japë fund pushtimit, që i ka lënë të uritur prej më shumë se 600 ditë.

“Kamionët tanë janë të furnizuar dhe gati për t’u nisur, sa më shpejt që palët do ta lejojnë këtë gjë”, tha Dina Elkassaby, pjesë e Programit Botëror të Ushqimit në OKB.

Ata që kanë mbetur të rrethuar në Homs kanë shumë pak rezerva ushqimore, ndërkohë që nuk janë ushqyer me bukë prej muajsh. Ata jetojnë gjithashtu nën kërcënimin e vazhdueshëm të bombardimeve.

“Ndihmat janë jashtë. Thjesht duhet të lejohen të futen brenda rrethimit. Duam bukë e ujë, sepse janë fëmijë të vegjël”, u shpreh një grua për një aktivist të opozitës në një intervistë për CNN. Ajo gjendej e ulur në një dhomë të vetme, me fëmijën dhe të shoqin në krah, në kushte tepër të papërshtatshme për jetesë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA