SHBA, dënim me vdekje për Tsarnaev?

30/01/2014 00:00

Qeveria amerikane ka bërë të ditur se do të kërkojë dënimin me vdekje ndaj të dyshuarit për bombat në Maratonën e Bostonit, Dzhokhar Tsarnaev.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan, Eric Holder, tha përmes një deklarate se “natyra e sjelljes për këtë çështje dhe dëmet e rezultuara prej saj detyrojnë këtë vendimmarrje”.

17 nga 30 akuzat kundër 20-vjeçarit bartin mundësinë e dënimit kapital, përfshi edhe ajo e “përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë për të vrarë”. Nga shpërthimi i bombave, mbetën të vrarë 3 persona dhe u plagosën mbi 260 të tjerë, gjatë Prillit 2013.

Tsarnaev nuk ka pranuar fajin, ndërkohë që ende nuk është përcaktuar data për gjyqin ndaj tij.

Hetuesit akuzojnë se Tsarnaev dhe vëllai i tij më i madh, tashmë i ndarë nga jeta, Tamerlan Tsarnaev, ndërtuan dhe vunë në përdorim dy bomba përmes një tenxhere gatimi me presion, pranë vijës së “finish”-it të maratonës.

Vëllezërit jetonin në qytetin Cambridge të Massachusetts-it, apo siç njihet ndryshe si “shtëpia” e universitetit prestigjioz të Harvardit, pasi emigruan në Amerikë në vitin 2002, nga rajoni i Kaukazit në Rusinë jugore.

Zyrtarët besojnë se ata vendosën bombat në shenjë hakmarrjeje kundër SHBA-ve për veprimet e tyre ushtarake në vendet muslimane.

Tamerlan Tsarnaev u vra gjatë një shkëmbim zjarri me policinë, disa ditë pas ngjarjes. Vëllai më i ri u plagos dhe u gjet brenda një varke, në një banesë.

Prokurorët akuzojnë Tsarnaev-in se kishte shkruar rreth motivimit për vendosjen e bombave brenda varkës. Ai kishte shkruar “qeveria amerikane po vret civilët tanë të pafajshëm” dhe “nuk mund të qëndroj për të parë këtë djall t’i shpëtojë ndëshkimit”.

Tsarnaev akuzohet gjithashtu për vrasjen e një oficeri policor të universitetit dhe për vjedhjen e një makine. Ai do të akuzohet bazuar mbi ligjin federal për dënimin me vdekje; pasi Massachusetts e ka hequr dënimin kapital në vitin 1984.

Që kur ligji federal për dënimin me vdekje u rivendos në 1988, 70 persona të dënuar janë vënë në radhën e pritjes për ekzekutim. Por, vetëm 3 prej tyre janë ekzekutuar aktualisht, përfshi dhe bombarduesin e Oklahoma City-t, Timothy McVeigh, në vitin 2001.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA