Emisioni “Shqip” në Top Channel, pak ditë më parë trajtoi temën e gjakmarrjes, ku studentë e pedagogë të Shkodrës dhe Ministria e Arsimit u bashkuan në nismën për të ngujuar këtë fenomen.

Në kuadër të kësaj nisme, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka qenë në familjet e ngujuara në Shkodër, ku ka zhvilluar një orë mësimi me një grup fëmijësh, të cilët nuk mund të shkojnë në shkollë për shkak të gjakmarrjes.

Ministrja Nikolla u shpreh se kjo orë mësimi nuk i shpëton këto fëmijë nga ky fenomen, por është mesazhi që gjithë shoqëria duhet të përfshihet në nismën për të ngujuar gjakmarrjen.

“Unë sot ndoqa dhe pata kënaqësinë që, me ata vogëlushë e fëmijë, të ndanim bashkë një prej ditëve të tyre të orëve të mësimit, pra një orë matematike. Por, për të kaluar tej kësaj ore mësimi, ndjeva se sa shumë rrihte zemra e tyre, lexova padyshim me sytë e nënës dhembshurinë në sytë e tyre. U mbusha plot. Këtu kam edhe sekretet e tjera, që ata fëmijë ndanë me mua, këshilla që ata fëmijë më dhanë mua për t’u ndjerë shumë më e fortë në këtë rrugëtim, që sapo ka nisur, për të ngujuar gjakmarrjen”, u shpreh Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe Sportit.

Më pas, ministrja Nikolla ka zhvilluar një takim me studentë dhe pedagogë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ku ka falënderuar dhe mbështetur misonin që ata kanë nisur, për të pajtuar familjet në gjak, nismë e cila mori start nga emisioni “Shqip” në Top Channel.

Në fund të takimeve në Shkodër, ministrja dërgoi libra dhe ndihma te një familje e ngujuar, nga ku përcolli mesazhin që të gjithë bashkë të ngujojmë gjakmarrjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA