Itali, Knox dhe Sollecito, sërish fajtorë

30/01/2014 00:00

Një gjykatë apeli në Itali ka shpallur sërish fajtorë ish-studenten e programeve “exchange”, Amanda Knox, dhe ish-të dashurin e saj, Raffaele Sollecito, pas akuzës për vrasje, gjatë natës së të enjtes.

Prokurorët thanë se çifti kishte vrarë Meredith Kercher në Nëntorin e vitit 2007. Ata u dënuan 2 vjet më vonë me akuzën e vrasjes, por dënimi i tyre u përmbys në apel në vitin 2011.

Gjykata, gjatë së enjtes, vendosi që Knox, e cila është dënuar edhe për shpifje, të dënohet me 28 vjet e gjysmë burgim. Ndërkohë që Sollecito është ndëshkuar me 25 vjet burg.

Knox, një shtetase amerikane, tha se ndëshkimi i saj nuk do të japë asnjë ngushëllim për familjen e Kercher.

“Jam e frikësuar dhe e dëshpëruar për këtë verdikt të padrejtë”, tha ajo në një deklaratë të shkruar. “E shpallur e pafajshme më herët, prisja akoma më mirë nga sistemi i drejtësisë italiane. Provat dhe teoritë akuzuese nuk e justifikojnë vendimin për fajësi përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Ka pasur gjithmonë një mungesë të theksuar të provave”, tha ajo.

Ajo i quajti procedurat ligjore një parodi. “Kjo çështje ka dalë jashtë kontrollit. Më shqetësuese është fakti se ngjarja ishte tërësisht e evitueshme”, shtoi Knox. “I lutem atyre që kanë njohuritë dhe autoritetin për të adresuar dhe ndrequr problemet, të cilat kontribuojnë për prishjen e kursit të drejtësisë dhe për të hedhur dëm burimet e vlefshme të këtij sistemi”.

Megjithatë Knox, e cila jeton në Seattle të Uashingtonit, nuk pritet të rikthehet në Itali për të shërbyer pjesën e mbetur të dënimit me burgim, për shkak se ligjet amerikane diktojnë se një person nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtën akuzë, tha një ekspert ligjor për CNN. Ai shtoi se nëse Italia do të kërkojë ekstradimin e saj, zyrtarët amerikanë mund të refuzojnë kërkesën.

“Fillimisht ajo u vendos në një rrezik të madh dhe më pas u lirua”, tha Sean Casey, një ish-prokuror nga Neë York. “Bazuar mbi traktatin, ekstradimi mund të mos miratohet”.

Kryetari i trupës gjykuese, Alessandro Nencini, ka 90 ditë afat për të shkruar argumentet e tij për vendimin e marrë nga juria. Sapo të jepen ato, avokatët mbrojtës do të kenë 90 ditë kohë për të apeluar këtë vendim.

Kercher, 21 vjeç nga Britania e Madhe, u gjet gjysmë nudo në një “pishinë” gjaku, në shtëpinë që ndante së bashku me Knox, në qytetin piktoresk të Peruxhas, ku të dyja ishin edhe studente të programeve të shkëmbimit (student exchange).

Knox është shprehur e frikësuar për t’u rikthyer në Itali, ku ajo kaloi 4 vjet pas hekurave. “Do të bëhesha një e arratisur”, tha ajo për të përditshmen italiane “La Repubblica” këtë muaj, kur u pyet se çfarë do të bënte nëse do të shpallej fajtore në rigjykimin e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA