Ukraina, në prag të luftës civile

29/01/2014 00:00

Presidenti i parë i Ukrainës pas pavarësisë, Leonid Kravchuk, paralajmëroi se vendi është në prag të “luftës civile”.

Kravchuk, i cili mori frerët e shtetit ukrainas nga vitit 1991 deri në 1994-n, i kërkoi Parlamentit të “vepronte me përgjegjshmëri të lartë”, kur debatohej amnistimi i protestuesve të ndaluar.

“Ky është revolucion. Është një situate dramatike dhe ne duhet të veprojmë me përgjegjësi. Duhet të lehtësojmë përplasjen e dy palëve e të gjejmë një plan për zgjidhjen e konfliktit. Duhet të punojmë hap pas hapi, me një plan të tillë, në mënyrë që të qetësojmë sa më shpejt gjakrat”, tha Leonid Kravchuk, ish-president i Ukrainës.

Fjalët e tij duket se nuk ranë në vesh të shurdhër. Pak pas kësaj deklarate, ligjvënësit ukrainas miratuan ligjin e faljes për demonstruesit e ndaluar gjatë trazirave, me kushtin që pjesa tjetër e tubuesve të lirojnë ndërtesat qeveritare, të pushtuara gjatë ditëve të fundit.

Masa, që synon të zbusë tensionet nëpër rrugë, erdhi pas një ditë debatesh intensive. Të martën, presidenti Viktor Yanukovych pranoi dorëheqjen e kryeministrit dhe të kabinetit, në përpjekje për të fashitur protestat e dhunshme anti-qeveritare që, pas kryeqytetit Kiev, janë përhapur edhe në pjesë të tjera të vendit.

Në vijat e para të demonstruesve në Kiev, dorëheqjet nuk e kanë shuar zjarrin e protestës. Është gjë e mirë që qeveria iku, thonë tubuesit, por duhet të heqim qafe edhe Yanukovych-in. Fitorja nuk është aspak e sigurt.

Opozita politike i mirëpriti dorëheqjet e së martës, megjithatë këmbëngul në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme presidenciale. Sipas njërit prej liderëve të saj, Vitaly Klitschko, dorëheqja e kryeministrit duhet të kishte ndodhur një muaj më parë.

Për fat të keq, këto janë 4 javë të humbura, gjatë të cilave temperatura në shoqëri është rritur në mënyrë dramatike, u shpreh ai. Demonstruesit vazhdojnë të qëndrojnë nëpër barrikada dhe shumë thonë se janë të gatshëm ta mbrojnë sheshin e Pavarësisë me jetën e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA