Turqi, masa urgjente kundër inflacionit

29/01/2014 15:20

Banka Qëndrore e Turqisë rriti në mënyrë të beftë në 12% normën bazë të interesit, nga 7,75% që ajo ishte më parë, gjatë një takimi urgjent në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Gjithashtu, banka rriti edhe normën e huamarrjes në 8%, nga 3,5%.

Këto masa synojnë që të kundërshtojnë inflacionin e lartë të lirës, të motivuar nga paqëndrueshmëria politike në vend.

Si rrjedhojë e kësaj mase, lira fitoi menjëherë pikë në shkëmbimin me dollarin, duke u kuotuar në 2,2 lira një dollar, nga 2,25 që ishte kursi i së martës.

Ky veprim i Bankës Qëndrore të Turqisë ishte paralajmëruar prej ditësh, por bordi drejtues kishte shprehur rezerva ndaj këtyre masave, me frikën që mund të dëmtojnë ekonominë dhe të frenojnë rritjen e eksporteve.

Megjithatë, me inflacionin që arriti në 7,4% në muajin Dhjetor dhe treguesit në rritje gjatë Janarit, BQT u detyrua të vepronte për të vendosur nën kontroll situatën.

Pavarësisht këtyre masave, qeveria turke parashikon që rritja ekonomike të përshpejtohet gjatë 2014-s, duke arritur në 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në vitin e lënë pas, rritja ekonomike e Turqisë ishte prej 3,6%.

Top Channel