Që nga ora 7 e mëngjesit, dhjetëra studentë të Organizatës për Barazi, Studim, Kritikë, Veprim dhe Klubit Politik të Studentëve, bllokuan për të dytën ditë me rradhë hyrjen e rektoratit të Univeristetit të Prishtinës.

Pak orë më vonë, studentët u shtuan në numër, pasi me ata që protestonin prej mëngjesit u bashkuan edhe rreth 100 studentë nga Grupi i Pavarur i Studentëve, profesorë, asambleistë e qytetarë të Prishtinës.

Një ditë pas ndërhyrjeve të ashpra të Policisë së Kosovës ndaj studentëve që po protestonin në oborrin e rektoratit, ku 27 prej tyre u shoqëruan nga policia, të mërkurën protesta nisi në mënyrë të qetë.

Sipas kolonel Rexhep Sijarinës, drejtor rajonal i Policisë së Kosovës për Prishtinën, policia ndërhyn në rast se pengohet  personeli i rektoratit të hyjë brenda.

Kërkesat vazhdojnë të jenë të njëjta dhe sipas organizatorëve, ato nuk do të ndalen deri në dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi.

Ish-profesori i UP-së, Agron Dida, në përkrahje të studentëve thotë se rektori Gashi nuk duhet më të japë dorëheqje, por ai duhet të hiqet nga institucionet.

Vizitë studentëve u bëri edhe drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala. Ai tha se ndërhyrja policore e një dite më parë mund të shmangej.

Shala theksoi se KMDLNJ përkrah kërkesat e studentëve dhe rikujtoi se organizata e tij ka qenë kundër emërimit të Ibrahim Gashit si rektor i UP, pasi emërimi i tij ishte politik.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta