Merkel: Ndiqni modelin gjerman

29/01/2014 00:00

Angela Merkel nuk para është mburrur me vendimet e saj, por në deklaratën e parë qeveritare, Kancelarja e lavdëroi politikën e vjetër dhe të re, duke kujtuar në fjalimin përpara Bundestagut se si, në fillim të mijëvjeçarit, Gjermanisë i thoshin: e sëmura e Europës.

“Statistikat flisnin atëherë për 5 milionë të papunë, sot janë dy milionë më pak. Rendin ekonomik e quajtën asokohe “të vjetëruar”. Sot gjendja në vend është aq e mirë, sa nuk ka qenë prej kohësh. Ekonomia ka rritje dhe njerëzit e shohin të ardhmen me optimizëm”, u shpreh Merkel.

Gjermania, vazhdoi Kancelarja, është sot “motori i rritjes” dhe “spiranca e stabilitetit” në Europë. Sytë kthehen drejt saj, kur priten kontribute për kapërcimin e krizës së borxheve shtetërore.

Aq e bindur ishte Merkel në suksesin e politikave të ndjekura, sa vendeve në vështirësi ekonomike iu rekomandoi modelin gjerman.

Vendi, siç e ka përmendur dhe herë tjetër, nuk do të marrë borxhe të reja në 2015-n dhe gjendjen e mirë të buxhetit ia dedikon ekonomisë në lulëzim. Të ardhurat tatimore janë në nivele rekord, tha Merkel, dhe rritje tjetër taksash nuk do të ketë. Kancelarja mendon se bashkimi ekonomik dhe monetar duhet të thellohet.

Tregu i brendshëm europian, marrëdhëniet me botën e jashtme, si dhe politika energjitike dhe e klimës duhet të koordinohen me njëra-tjetrën dhe çdo vend duhet t’i bëjë detyrat e tij të shtëpisë në pikëpamje financiare.

Ndër të tjera, Kancelarja premtoi vazhdimin e angazhimit të Gjermanisë në Afganistan e Mali, ndërsa shtoi se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe Ballkanit.

Merkel: Mosbesim te SHBA dhe Britania

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, deklaroi se programet britanike dhe amerikane të përgjimit tregojnë mungesë besimi midis aleatëve.

Deklarata e Merkelit u bë ndërsa ajo iu adresua Bundestagut për herë të parë pas rizgjedhjes.

Kancelarja theksoi se besimi i ndërsjelltë është minuar në mënyrë përfundimtare, ndërsa akuzoi agjensitë amerikane dhe britanike se kanë përdorur këto programe, gjithashtu për të siguruar në mënyrë të paligjshme sekrete industriale.

Në muajin Tetor, Gjermania kërkoi shpjegime nga ambasadori amerikan në Berlin, pas mësimit të faktit se celulari personal i Kancelares ishte midis telefonave të përgjuar prej SHBA-ve.

Në atë moment, Merkel kërkoi një shpjegim të detajuar nga Uashingtoni, për artikullin që “Der Spiegel” siguroi nëpërmjet dëshmisë së Edëard Snoëdenit, ish-punonjësit të NSA-së që i bëri botës të njohur ekzistencën e programit të përgjimeve.

Në përgjigjen zyrtare, Shtëpia e Bardhë tha se nuk i ka monitoruar thirrjet e Kancelares në të shkuarën dhe se nuk do ta bëjë diçka të tillë as në të ardhmen.

Megjithatë, është lënë pa marrë përgjigje pyetja nëse përmbajtja e telefonatave të saj është dëgjuar gjatë ekzistencës disa-vjeçare të programit të përgjimeve.

Në një zhvillim tjetër gjatë të mërkurës, kreu i Shërbimit Qëndror Informativ Amerikan (CIA), James Clapper, pranoi se aktiviteti i Snoëdenit e ka dëmtuar ndjeshëm aparatin kombëtar të sigurisë.

“Ajo që Snoëden vodhi dhe ekspozoi tejkalon ndjeshëm fushën e tij të veprimit dhe të ashtuquajturin shqetësim të tij për programin kombëtar të përgjimeve. Si rezultat, kemi humbur burime thelbësore të informacionit në botë, përfshi disa të cilat i ndanim me partnerët tanë”, tha Clapper.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA