Ekspertët për fjalimin e Obamës

29/01/2014 00:00

Fjalimi i përvitshëm i Barack Obama mbi gjendjen e vendit u ndoq me vëmendje në Shtetet e Bashkuara, por edhe pjesë të tjera të botës. “Pamë një president, i cili e di se përballet me sfida serioze”, i tha “Deutsche Welle” Matthew Duss, i Qendrës për Progres Amerikan.

Ai e la të shihej qartë pakënaqësinë që ka me Kongresin, e megjithatë tregoi se nuk do të heqë dorë por do të përpiqet të bashkëpunojë, edhe pse e bëri në të njëjtën kohë të qartë se axhendën e tij do ta ndjekë edhe pa miratimin e kongresmenëve.

Ditët e fundit ekipi i Obamës për marrëdhëniet me publikun u kujdes të ngjallte pritje të mëdha, por në fund megjithë mjeshtërinë e njohur retorike të presidentit, fjalimi ishte relativisht i butë. Obama ofroi shumë për shumëkënd, nga arsimi i përballueshëm, ligji për imigracionin, Guantanamo, mbrojtja e mjedisit deri tek rritja e pagës minimale.

“Le ta bëjmë këtë një vit të veprimit. Pabarazia është thelluar dhe lëvizja përpara ka mbetur në vendnumëro, ndaj ajo që unë ofroj janë propozime konkrete dhe praktike për të shpejtuar rritjen e ekonomisë, për forcimin e shtresës së mesme dhe krijimin e mundësive reale për të. Amerika nuk qëndron në vend dhe as unë nuk do ta bëj kurrë. Ndaj, kurdoherë dhe sa herë që të mundem të hedh hapa pa legjislacion për të zgjeruar gamën e mundësive për familjet amerikane kam për ta bërë”, deklaroi Obama.

Fjalimi i pestë i Obamës për situatën e kombit ishte më i gjati dhe me siguri edhe më i vështiri për të. Megjithë zhvillimet pozitive ekonomike dhe rënien e numrit të të papunëve, popullariteti i tij tek amerikanët është i ulët dhe i lartë numri i iniciativave ligjore të dështuara apo të pasuksesshme.

“Washington Post” i kontrolloi një për një njoftimet nga fjalimi i vitit të kaluar të presidentit për situatën e kombit. Nga 24 propozimet e tij, vetëm pesë janë zbatuar, të tjerët kanë dështuar në Kongres. Nuk është çudi që shefi i Shtëpisë së Bardhë këtë vit u detyrua të përsëriste veten. Për të qenë në një pozitë më të mirë në 2015, në rast nevoje ai do të qeverisë edhe duke anashkaluar përfaqësuesit e popullit dhe do të tregojë aftësi veprimi.

Amerikanët e thjeshtë sakaq i kanë pritur me interes planet e nënshkrimit të një urdhëri ekzekutiv mbi rritjen e pagës minimale nga 7,25 dollarë ora në 10,10 dollarë për punonjësit e kompanive kontraktuese me qeverinë federale.

Por që kjo masë të përfshijë të 17 milionë punëmarrësit e interesuar në SHBA, Kongresi duhej të miratonte një ligj përkates, ndaj Obama nuk do ta ketë të lehtë ta vërë në jetë këtë nismë të tij.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta